Një ngjarje e rëndë është shënuar pak minuta më parë në fshatin Peshtan Bregas, Bashkia Fier. Një 36-vjeçar i identifikuar si H.Duraj , ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në tokat bujqësore. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se 36-vjeçari kishte dalë për të punuar tokën me frezë, kur dyshohet se është penguar aksidentalisht dhe ka rënë në tokë. Në ato momente, mjeti bujqësor i ka kaluar sipër trupit, duke i shkaktuar plagë fatale dhe vdekje të menjëhershme. Trupi i pajetë është gjetur nga familjarët, të cilët ishin shqetësuar pasi ai nuk po u përgjigjej thirrjeve telefonike. Ata kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe ambulanca, e cila e ka transportuar 36-vjeçarin drejt Spitalit Rajonal të Fierit, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë që në vendin e ngjarjes. Aktualisht, trupi ndodhet në morgun e Spitalit Rajonal Fier, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Më pas, familjarët do të tërheqin trupin për të kryer ceremoninë mortore gjatë ditës së nesërme./Tv Klan