Rënie e qepallës dhe dhimbje koke e padurueshme: Dy sinjale “alarm” të aneurizmës së trurit

Një shenjë shihet në sy, tjetra është dhimbje e papritur që rritet brenda sekondave Aneurizma është një fryrje (zgjerim) në një enë gjaku në tru, dhe nëse çahet, mund të ndodhë gjakderdhje. Edhe pse shumica e aneurizmave janë të vogla dhe nuk shkaktojnë simptoma, prandaj shpesh zbulohen rastësisht, ekzistojnë shenja të rëndësishme paralajmëruese, ka publikuar Dr. Chen në TikTok. Shenjat në sy Dr. Chen , i njohur edhe si Dr. Bing , shpjegoi se për çfarë bëhet fjalë. “Shenja e parë për të cilën do të flas është një kombinim simptomash që mund të shihet te një lloj i caktuar aneurizme të trurit. Kjo përfshin rënien e qepallës në njërin sy, zgjerimin e bebëzës në të njëjtën anë, si dhe vështirësi në lëvizjen e syrit, me shikim të turbullt dhe të dyfishtë. Kjo mund të jetë paralajmërim se një aneurizëm e madhe ndodhet në arterien komunikante të pasme, një enë e rëndësishme gjaku në tru, dhe se po e shtyp nervin e tretë kranial”, tha ai. “Nëse e vërejmë mjaft herët, mund ta trajtojmë dhe potencialisht t’i shpëtojmë jetën”, shtoi ai. Dhimbja e kokës Dhimbja e papritur dhe jashtëzakonisht e fortë e kokës është një tjetër shenjë e mundshme e aneurizmës. “Shenja e dytë është një dhimbje e fortë e kokës”, tha Dr. Bing . “Kjo është një dhimbje koke, dhimbja e së cilës për vetëm disa sekonda deri në një minut arrin 10 nga 10. Kjo mund të jetë shenjë se aneurizma po çahet pikërisht tani ose është në fazën e hershme të çarjes”, transmeton Telegrafi. Faktorët e rreziku Dr. Bing ndau edhe disa nga faktorët kryesorë të rrezikut për aneurizmën e trurit. “Shumë aneurizma kanë komponent gjenetik. Prandaj, nëse në familje keni histori të aneurizmave të trurit, ia vlen të bisedoni me mjekun për kontroll”, këshillon ai. “Ekzistojnë edhe gjëra që të gjithë mund t’i bëjmë për ta ulur rrezikun, si ndërprerja e duhanit, shmangia e konsumit të tepërt të alkoolit dhe mbajtja e presionit të gjakut nën kontroll.” Kur të thirret ndihma e shpejtë Shërbimi Kombëtar Shëndetësor britanik ( NHS ) thotë se duhet thirrur menjëherë ndihma e shpejtë nëse ju ose dikush tjetër papritur përjeton një dhimbje koke jashtëzakonisht të fortë që nuk kalon. Urgjente është edhe nëse shfaqet dobësi e fytyrës, për shembull kur njëra anë “varet” dhe e vështirëson buzëqeshjen, si dhe dobësi ose mpirje në një krah ose përgjatë njërës anë të trupit. Shenja alarmi janë edhe problemet me të folurin, si të folurit i paqartë ose vështirësia për të gjetur fjalët e duhura, si edhe shikimi i turbullt ose humbja e shikimit në njërin ose të dy sytë. /Telegrafi/