Në mungesë të njërit nga të akuzuarit ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Prishtinës seanca e paraparë për të hënën (02.03.2026) ndaj dy klerikëve fetarë – shtetas të Shqipërisë. Në këtë rast të akuzuar janë Niko Bllazhde dhe Lejdi Zagalli, të cilët nga Prokuroria Speciale po akuzohen se më 27.11.2023 kanë hyrë pa autorizim dhe e kishin hapur në mënyrë të dhunshme portën në kishën “Shën Mihaili” në fshatin Rakinicë të komunës së Podujevës. Qëllimi i thyerjes së kishës, sipas aktakuzës, ishte që kisha të shpallej kishë shqiptare me emrin “Fan Noli”, dhe e njëjta sipas të akuzuarve do t’i përkiste Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare nga Elbasani. Me të filluar seanca, gjyqtari Kushtrim Shyti konstatoi mungesën e të akuzuarit Lejdi Zagalli, për të cilin tha se jeton në Republikën e Shqipërisë dhe se nga Policia shqiptare kanë marrë konfirmimin se ai nuk gjendet në Shqipëri dhe se për herë të fundit më 17.03.2025 përmes pikës kuftare në Rinas ka udhëtuar për në Athinë dhe nuk është kthyer më në Shqipëri. Më tej gjyqtari tha se Policia ka kontaktuar me babanë e të pandehurit dhe e kanë njoftuar se djali i tij ka seancë gjyqësore dhe se duhet të jetë i pranishëm, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur në Gjykatë. Mbrojtësi i të akuzuarit Lejdi Zagalli, avokati Jeton Ademi, tha se disa herë ka tentuar të komunikojë me të pandehurin në numrin e tij të telefonit por i njëjti ka qenë i paqasshëm. Ndërsa i pandehuri tjetër në këtë rast, Niko Bllazhde, lidhur me të pandehurin Lejdi Zagalli tha se kur ka biseduar me të i njëjti i ka thënë se nuk është i interesuar të paraqitet në seancë. “E di që është mbyllur si murg në një manastir në Athinë… Kur kam biseduar me atë dhe i kam thënë se duhet të vish se ke gjyq, fjalia që ma ka thënë: ‘Unë nuk do të paraqitem, nuk më intereson, bëni çfarë të doni’” – tha i akuzuari Niko Bllazhde. Gjyqtari më tej ka konstatuar edhe mungesën e dy dëshmitarëve. Në mungesë të të pandehurit Lejdi Zagalli si dhe të dëshmitarëve, Gjykata konstatoi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës. Kësisoj në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme (02.03.2026) u ndërpre dhe e radhës u caktua për në muajin maj 2026./ Kallxo.com