Sulm ndaj gazetarit Burim Pacolli, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, rreth orës 16:00, është marrë informacion lidhur me një rast të sulmit fizik ndaj gazetarit Burim Pacolli. Menjëherë pas pranimit të informacionit, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë hetime, me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e personave të dyshuar, si dhe sigurimin e provave relevante. Aktualisht, organet e rendit po zhvillojnë hetime intensive në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit. Për shkak të fazës së hershme të hetimit dhe për ruajtjen e integritetit të procesit, Prokuroria nuk ka dhënë detaje shtesë për publikun. Institucioni ka bërë të ditur se rasti trajtohet me prioritet dhe do të ndiqet një hetim i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, në përputhje me ligjin.