Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nëse një kandidat nga familja Jashari do të ishte në garë për postin e presidentit, PDK-ja do të siguronte mbështetjen e saj për këtë kandidat. Në një intervistë për emisionin “Pressing”, Hamza tha se familja Jashari përbën një rast të veçantë në historinë e vendit dhe ka një vlerë të veçantë në krahasim me çdo kandidat tjetër. “Janë rast i veçantë në histori, është vlerë tjetër në krahasim me gjithçka. Po që se do vinte një kandidat i familjes Jashari, unë jam i sigurtë 22 vota të PDK-së do të kishin me qenë për atë kandidat”, deklaroi Hamza. Ai shtoi se vendimet e familjes Jashari janë të respektuara dhe PDK-ja do t’i respektojë ato, duke theksuar rëndësinë dhe ndikimin historik të kësaj familjeje në vend. “Ne kemi dëgjuar deklaratat e anëtarëve të kësaj familje dhe për mua çdo vendim që e merr kjo familje është i respektuar”, tha Hamza.