Një analizë e thjeshtë e flokëve mund të ruajë “gjurmë” afatgjata të ndryshimeve në trup Një studim paraprak sjell rezultate intriguese, mostrat e flokëve të personave me sëmundjen e Parkinsonit treguan nivele dukshëm më të ulëta të hekurit dhe bakrit, ndërsa njëkohësisht vlera të rritura të manganit dhe arsenit. Autorët e studimit, të udhëhequr nga biologu Ming Li nga Hebei University, thonë se gjetjet e tyre kanë “potencial të lartë diagnostik” kur bëhet fjalë për sëmundjen e Parkinsonit. Flokët si një gjurmë e re diagnostike Gjetja e një mënyre jo-invazive, por të besueshme për diagnostikimin e sëmundjes së Parkinsonit ka qenë prej kohësh sfidë. Edhe pse disa biomarkerë nga gjaku kanë treguar rezultate premtuese, flokët kanë një përparësi të veçantë, mund të ruajnë një “regjistër” afatgjatë të ekspozimit të organizmit ndaj substancave të ndryshme. Dihet se flokët grumbullojnë metale të rënda nga ushqimi dhe mjedisi. Ndryshe nga gjaku, pështyma apo urina, që pasqyrojnë gjendjen e momentit, flokët mund të japin pasqyrë për një periudhë më të gjatë të ndryshimeve shëndetësore, transmeton Telegrafi. Lidhja midis zorrëve, hekurit dhe trurit Shkaku i saktë i sëmundjes së Parkinsonit ende nuk është sqaruar plotësisht. Megjithatë, hulumtime të mëhershme kanë sugjeruar lidhje me çrregullime të mikrobiotës së zorrëve, ushqyerje jo të shëndetshme, veçanërisht të pasur me ushqime ultra të përpunuara, si dhe ekspozim ndaj ndotësve si pesticidet. Në eksperimente me modele të minjve, studiuesit kanë vërejtur gjithashtu nivele të ulëta të hekurit në flokë. Ky ndryshim u lidh me mosfunksionim të barrierës së zorrëve. Te kafshët me simptoma të ngjashme me Parkinsonin u vu re: • ulje e shprehjes së gjeneve përgjegjëse për absorbimin e hekurit • rritje e aktivitetit të gjeneve të lidhura me absorbimin mikrobik të hekurit • mungesë e mundshme sistemike e hekurit Te njerëzit, ndryshimet në bakteret e zorrëve shpesh shfaqen vite përpara vendosjes së diagnozës. Gjithnjë e më shumë prova tregojnë për një komunikim të fortë midis zorrëve dhe trurit, dhe duket se flokët mund t’i “regjistrojnë” ndryshimet që ndodhin në këtë sistem kompleks. Gjetja më e qëndrueshme, si te njerëzit ashtu edhe te minjtë, ishte pikërisht rënia e nivelit të hekurit në flokë. Arsen i rritur dhe ndikimi i mjedisit Një e dhënë interesante lidhet edhe me nivelin e rritur të arsenit në flokët e të prekurve. Shkencëtarët mendojnë se kjo mund të lidhet me faktorë mjedisorë, por edhe me ushqyerjen. Në këtë studim me përmasë më të vogël, personat me sëmundjen e Parkinsonit raportuan konsum më të shpeshtë të organeve të kafshëve dhe të frutave të detit (si guaskorët), ushqime që mund të përmbajnë sasi më të larta të arsenit. Ekipi kërkimor vlerëson se lidhja midis mikrobiomës së zorrëve dhe gjeneve të përfshira në metabolizmin e hekurit është “provë themelore” e ndërlidhjes së këtyre sistemeve në kontekstin e patologjisë së ngjashme me sëmundjen e Parkinsonit. Nevojiten kërkime të mëtejshme Rezultatet lidhen edhe me një studim të vitit 2025, i cili sugjeroi çrregullim të rregullimit të hekurit në tru, gjak dhe zorrë te pacientët me sëmundjen e Parkinsonit. Megjithatë, ky hulumtim u krye me një numër më të vogël pjesëmarrësish dhe do të nevojiten studime më të mëdha për t’i konfirmuar gjetjet dhe për të sqaruar mekanizmat që e lidhin mungesën e hekurit me zhvillimin e sëmundjes. Nëse këto rezultate konfirmohen, është e mundur që në të ardhmen një mostër e thjeshtë floku, praktikisht një prerje e shkurtër – të jetë e mjaftueshme si pjesë e procesit të zbulimit të hershëm të këtij çrregullimi kompleks neurodegjenerativ. /Telegrafi/