Edhe pak ditë pune kanë mbetur nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por në vend të emrave dhe marrëveshjeve konkrete, dominon paqartësia. Gazetari Enver Robelli ka deklaruar se Bashkimi Evropian po përgatit ndërmjetësimin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. “Burime të mirëinformuara më kanë konfirmuar se të martën do të emërohet diplomati veteran polak Tadeusz Kazowiecki si ndërmjetësues mes partive politike për të gjetur një kandidat konsensual për president,” tha Robelli. Robelli theksoi në rast se partitë kosovare “e vazhdojnë traditën e ofendimit të zgjedhësve dhe mosmarrëveshjeve të brendshme”, Kazowiecki do të propozojë tre personalitete europiane për një mandat dyvjeçar. Sipas tij, Gjermania ka përfolur emrin e Joschka Fischerit, Austria atë të Wolfgang Petritschit, ndërsa Sllovenia ka përmendur Millan Kuçanin. Robelli shtoi se vendimi përfundimtar mbetet tek deputetët e Kuvendit të Kosovës. “Ata duhet të vendosin nëse do të gjejnë një kandidat vendor konsensual ose do të detyrohen të pranojnë një president të vendosur nga Bashkimi Europian.” "Burime të afërta me procesin kanë përfolur se Kazowiecki gjithashtu ka përjashtuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare, duke lënë pak alternativa për skenarë të tjerë politikë", shkroi Robelli në Facebook.