11 tipare të fëmijëve që rriten me prindër të palumtur: Ja çfarë ndodh kur mami dhe babi “me zor” qëndrojnë bashkë

Prindërit ndonjëherë qëndrojnë në një martesë të palumtur, duke menduar se kështu veprojnë më mirë për fëmijët. Por fëmijët që rriten në një mjedis të tillë shpesh zhvillojnë tipare që nuk u sjellin dobi Prindërit përpiqen që gjithçka që bëjnë të jetë më e mira për fëmijën dhe zakonisht mendojnë se çdo vendim që marrin është në interes të tij. Fatkeqësisht, askush prej nesh nuk është i përsosur, prandaj ndonjëherë marrim vendime që në atë moment na duken të mira, e më vonë kuptojmë se nuk kanë qenë ashtu; e ndonjëherë marrim vendime nga nevoja, sepse na duket se nuk ka opsion tjetër. Kur prindërit “mbeten” në një martesë të palumtur, ku nuk nënkuptohet domosdoshmërisht një martesë me dhunë apo diçka të ngjashme, por thjesht kur dashuria mes partnerëve shuhet – ata shpesh vendosin të qëndrojnë bashkë duke menduar se kështu është më mirë për fëmijët. Megjithatë, sado të përpiqen të ruajnë pamjen e një martese të lumtur për hir të fëmijëve, kjo mund të lërë pasoja te fëmijët. Në vijim lexoni cilat 11 shprehi zhvillohen shpesh, edhe pse jo domosdoshmërisht, te fëmijët që rriten me prindër të palumtur në martesë, transmeton Telegrafi. 1. Bëhen persona që u bëjnë vazhdimisht qejfin të tjerëve Fëmijët që rriten me prindër të palumtur në martesë priren të bëhen shumë të ndjeshëm ndaj emocioneve të të tjerëve, sepse shpesh kanë qenë “pajtuesit” në shtëpi gjatë rritjes. Në moshë të rritur është e vështirë ta ndërpresin këtë sjellje, prandaj vazhdojnë t’u përshtaten të tjerëve për të mbrojtur emocionet e tyre, në kurriz të vetes. 2. Konflikti i lodh shpejt Sipas një studimi për ndryshimet njohëse te personat që kanë përjetuar traumë në fëmijëri, shumë të rritur nga mjedise të ngjashme kanë aftësi të reduktuar për përpunimin e konfliktit. Jo vetëm që priren të tregojnë ndjeshmëri të shtuar ndaj përplasjeve emocionale, por shpesh zhvillojnë edhe probleme të shëndetit mendor dhe çrregullime ankthi në moshë të rritur. Pa mekanizma të shëndetshëm përballimi dhe pa mënyra të mira për zgjidhjen e debateve apo mospajtimeve, shumë të rinj që janë rritur me prindër të palumtur përfundojnë duke sabotuar marrëdhëniet e veta të shëndetshme. 3. E kanë të vështirë t’u përkushtohen plotësisht marrëdhënieve Pa një shembull të një lidhjeje të shëndetshme afatgjatë në fëmijëri, terapistët e martesës Phyllis dhe Peter Sheras thonë se shumë të rritur e kanë të vështirë të jenë të përkushtuar në marrëdhëniet e tyre, nga frika e zhgënjimit apo emocioneve të pakëndshme. Përkushtimi mund t’u duket si kurth, jo si sistem i qëndrueshëm mbështetjeje, prandaj gjithmonë e lënë “një këmbë jashtë”, që të mund të ikin nëse duhet, shkruan YourTango. Kjo pamundësi për t’u futur sinqerisht në një lidhje dhe për t’iu përkushtuar partnerit, njëkohësisht ua sabotuar aftësinë për të gjetur një marrëdhënie të shëndetshme. 4. I shmangin emocionet e forta Fëmijët që janë rritur me prindër të palumtur në martesë shpesh, në jetën e rritur, i shmangin emocionet e forta, qoftë te të tjerët, qoftë duke u përpjekur t’i menaxhojnë të vetat. Megjithatë, injorimi i emocioneve të forta nuk i bën ato të zhduken, prandaj në fund detyrohen të përballen me pasojat e shmangies. 5. Mbajnë standarde të pamundura Pavarësisht larmisë së marrëdhënieve njerëzore, shumë njerëz që janë rritur me prindër të palumtur në martesë i përmbahen standardeve të përsosmërisë që është e pamundur të arrihen. Shenjën e parë të konfliktit e shohin si “flamur të kuq” dhe e sabotojnë potencialin për marrëdhënie të shëndetshme duke analizuar tepër sjelljen e të tjerëve. E vërteta është se shpesh kanë frikë nga dështimi dhe nga dinamika toksike e fëmijërisë së tyre, ndaj i japin përparësi shmangies së dhimbjes mbi gjithçka tjetër. 6. Jetojnë me ankth të fshehur Përveç shqetësimeve fizike dhe dhimbjes afatgjatë, ndaj së cilës të rriturit me traumë nga fëmijëria janë më të prirë, një studim i vitit 2020 për ankthin te të rriturit zbuloi se shumë prej tyre zhvillojnë çrregullime ankthi gjatë gjithë jetës dhe probleme të shëndetit mendor, si pasojë e faktit se nevojat e tyre nuk janë plotësuar gjatë rritjes. Teksa marrëdhënia toksike e prindërve përkeqësohej, ndjenja e tyre e stabilitetit emocional cenohej dhe këta fëmijë mësonin shpejt ta “mbrojnë paqen” duke sakrifikuar të tyren. Kjo ndjenjë ankthi i shoqëron edhe në jetën e rritur. Terapia mund t’i ndihmojë për ta zbutur atë ankth. 7. Izolohen kur gjërat bëhen të vështira Nëse aftësia për t’u përshtatur me të tjerët dhe për t’i shmangur konfliktet ndonjëherë i “tradhton”, gjë që ndodh, fëmijët që janë rritur në këto rrethana tërhiqen për t’u përballur me situatën. Ky lloj tërheqjeje shoqërore është mënyra e tyre për t’i fshehur dobësitë. Me kaq shumë vëmendje të përqendruar te mirëqenia emocionale e prindërve gjatë rritjes, shumë nga këta të rritur e kanë të vështirë t’u bëjnë vend emocioneve të forta dhe ndihen keq kur duhet të ndajnë barrët e tyre emocionale, prandaj mbyllen në vetvete. 8. E mbrojnë ashpër pavarësinë e tyre Tani që janë të rritur dhe nuk jetojnë më në një shtëpi të mbushur me pakënaqësi, kanë mundësi ta mbrojnë mirëqenien emocionale, shëndetin dhe ritmin e tyre. Kur miqtë i zhgënjejnë, puna i streson ose zihen me partnerin, tërhiqen me bindjen e gabuar se u është më mirë vetëm. Mekanizmat e përballimit nuk u lejojnë të mbështeten te të tjerët dhe të pranojnë ndihmë, dhe kjo “superpavarësi” mund të jetë e dëmshme, sepse nganjëherë ndihen shumë të vetmuar. 9. Qëndrojnë në gjendjen “lufto ose ik” Shumë fëmijë që përjetojnë neglizhencë emocionale ose rriten të rrethuar nga marrëdhënie të pashëndetshme prindërore rriten në një “gjendje mbijetese”, siç e tregojnë hulumtimet për traumën e fëmijërisë, dhe shpesh e kanë të vështirë t’i ndalin këta mekanizma dhe gjendje emocionale në jetën e rritur. Ata përjetojnë stres dhe ankth të madh kur stabiliteti i tyre emocional kërcënohet në moshë të rritur, duke aktivizuar të njëjtin “instinkt mbijetese” që kanë qenë të detyruar ta përdorin në fëmijëri për ta ruajtur paqen. 10. E analizojnë tepër sjelljen e partnerit Nga frika se mos mbeten në të njëjtën marrëdhënie të pashëndetshme e të palumtur si prindërit e tyre, ata vazhdimisht kërkojnë shenja paralajmëruese. Për të mos lejuar që historia të përsëritet, shpesh analizojnë edhe gjëra të padëmshme, një përgjigje e shkurtër në mesazh, një ton pak më ndryshe, një takim i anuluar. Por problemi është se, duke kërkuar me ngulm shenja rreziku, mund ta krijojnë pikërisht atë tension në marrëdhënie nga i cili frikësohen dhe kjo i lodh të dyja palët. 11. E kanë të vështirë të besojnë se dashuria e qëndrueshme është e mundur Diku thellë brenda vetes shpesh kanë një bindje të rrënjosur se çdo lidhje përfundimisht prishet, sepse në shtëpi nuk kanë pasur shembull të mirë. Prandaj, edhe kur janë në një lidhje të qëndrueshme, një pjesë e tyre mund të presë që gjërat patjetër të ndryshojnë dhe të vijnë distanca, hidhërimi dhe gjithçka që kanë parë si fëmijë. Kjo bindje i pengon të çlodhen në marrëdhënie, e nganjëherë madje mund ta sabotojnë pa vetëdije lidhjen, sepse nuk janë mësuar me qetësi, por me kaos. /Telegrafi/