Ndarjet në të 30-at janë më të heshtura, por më të rënda - ja pse dhembin më shumë

Pa dramë, pa fajtor dhe me “korrektësi” deri në fund, dhimbja mbetet e paemërtuar - ndërsa humbim edhe versionin e së ardhmes që e kishim ndërtuar në mendje Nuk ka më grindje dramatike, bllokim numrash dhe skena para miqve. Ndarjet në të tridhjetat shpesh ndodhin në heshtje, pothuajse pa u vënë re. Megjithatë, pikërisht këto ndarje lënë pasoja më të thella dhe më afatgjata. Ndarjet në të tridhjetat rrallë janë të stuhishme, por janë emocionalisht rraskapitëse. Pa britma, fajësime dhe dramë, lënë gjurmë më të thellë se ato të viteve më të reja. Jemi rritur dhe jemi më të vetëdijshëm emocionalisht Njerëzit në të tridhjetat sot dinë: t’i emërtojnë emocionet të flasin pa ngritur zërin të njohin modele toksike të respektojnë kufijtë Inteligjenca emocionale, dikur e rrallë, është bërë standard. Ndarja nuk është më “ti nuk më kupton”, por “drejtimet tona të jetës nuk përputhen”. Por pikërisht kjo racionalitet e heq “valvulën” e emocioneve. Kur s’ka fajtor, dhimbja mbetet pa dalje Në vitet më të reja, ndarjet shpesh kishin “të keqin”. Dikush gaboi, dikush lëndoi, dikush u largua. Në të tridhjetat, ndarjet gjithnjë e më shpesh duken kështu: askush nuk tradhtoi askush nuk ishte i keq dashuria ekziston, por nuk mjafton Kur s’ka arsye të qartë, truri s’ka kë “ta akuzojë”. Trishtimi mbetet brenda, i paemërtuar, i heshtur, prandaj zgjat më shumë, transmeton Telegrafi. shutterstock Ndarje pa dramë, por me shumë të pathëna Njerëzit me inteligjencë emocionale shpesh përpiqen të jenë “korrektë deri në fund”. Nuk i thonë të gjitha, që të mos e lëndojnë tjetrin. Nuk i nxjerrin pakënaqësitë sepse janë “të vogla” ose “të parëndësishme”. Por ajo që nuk thuhet nuk zhduket, nuk e mbyll rrëfimin dhe nuk sjell lehtësim. Prandaj, pas ndarjeve të heshtura mbetet një ndjenjë e papërfunduar, edhe kur e dimë se vendimi ishte i drejtë. Pesha është më e madhe se më parë Në të tridhjetat, lidhjet kanë më shumë peshë: plane të përbashkëta, vite investimi dhe kompromise që tashmë janë bërë. Ndarja nuk do të thotë vetëm humbje e partnerit, por edhe humbje e një versioni të së ardhmes që tashmë e kishim nisur ta jetonim në mendje. Dhe kjo dhemb më thellë se vetë marrëdhënia. Pse pjekuria emocionale nuk do të thotë shërim më i lehtë Shpesh supozohet se njerëzit me inteligjencë emocionale e kalojnë më lehtë ndarjen. Në të vërtetë, ndodh e kundërta. Këta njerëz: nuk i shtypin emocionet nuk ikin në lidhje të reja nuk kërkojnë fajtorë Ata i ndjejnë të gjitha me vetëdije dhe deri në fund. Dhe ky është një proces që zgjat. Ndarjet e heshtura janë të padukshme për shoqërinë Nuk ka dramë që ta vërejë rrethi. Nuk ka “histori” që miqtë ta analizojnë. Shpesh dëgjojmë: “Po ju u ndatë normalisht.” Sikur “normalisht” ta përjashtojë dhimbjen. E pikërisht për këtë arsye, shumë njerëz e bartin në heshtje një humbje që askush nuk e sheh si një ndarje të vërtetë. Ndarjet e heshtura nuk janë shenjë dobësie të lidhjes, por shenjë pjekurie emocionale. Njerëzit nuk rrinë më bashkë nga frika, zakoni apo presioni. Largohen kur e dinë se të qëndrosh do të ishte e pasinqertë. Dhe pikërisht prandaj dhembin më shumë. Sepse nuk largohemi nga diçka e keqe, por nga diçka që ishte mjaft e mirë, vetëm jo e mjaftueshme për gjithë jetën. /Telegrafi/