Ministri i Mbrojtjes i RMV-së Vlado Misajlovski priti në aeroportin e Shkupit Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në vend. "Është nder të mirëpresim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte. Në kohë sfidash serioze të sigurisë, është me rëndësi të veçantë që të kontribuojmë së bashku për sigurinë, paqen dhe stabilitetin", shkroi Misajlovski në Facebook. Nga aeroporti i Shkupit, Rutte dhe delegacioni i tij u nisën për në Vilën në Vodno, ku do të pritet nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Sekretari i Përgjithshëm do të pritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në një ceremoni në Zyrën e Presidentit, e më pas do të ketë takim kokë më kokë dhe takim plenar të delegacioneve të RMV-së dhe të NATO-s. Është planifikuar gjithashtu konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidentja Siljanovska-Davkova dhe Rutte. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të takohet gjithashtu me kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, pas së cilës do t'u drejtohet deputetëve në Kuvend. Rutte do të vizitojë gjithashtu kazermën Ilinden, ku do të marrë pjesë në prezantimin e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (LPBG) të Ushtrisë dhe disa nga pajisjet e kësaj njësie. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Sashko Lafçiski, gjeneralë në Ushtri dhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo është vizita e parë e Rutte si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Ai ishte në vend në nëntor 2021 si kryeministër i atëhershëm i Holandës./Telegrafi/