Besian Mustafa , zëdhënës i Lidhja Demokratike e Kosovës , ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i LDK-së ka mbajtur takim, ku morën pjesë 15 deputetë, ndërsa qëndrimi i përbashkët është se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e reja. “Patëm një takim të grupit parlamentar të LDK-së ku morën pjesë 15 deputetë. Qëndrimi i përbashkët është që zgjedhjet janë të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme në këtë fazë”, deklaroi Mustafa. Ai theksoi se LDK është e gatshme të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit në dy drejtime. “LDK jemi të gatshëm të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit në dy drejtime: e para, një konsensus i gjerë politik me një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike; dhe e dyta, një marrëveshje politike klasike në këtë rast mes LVV-së dhe LDK-së”, u shpreh ai. Sipas Mustafës, pa Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të ketë zgjidhje, duke qenë se ajo ka 66 deputetë në Kuvend. “LVV i ka 66 deputetë dhe në asnjë format kjo gjë nuk bëhet pa ta. Deri më tani nuk ka pasur asnjë propozim zyrtar formal për asnjë emër”, tha Mustafa. I pyetur nëse LDK do ta votonte Vjosa Osmani për presidente, ai nuk dha përgjigje konkrete. “Nuk është problem hezitimi. Problemi është se kur nuk ke kandidaturë, nuk mund të japësh qëndrim”, deklaroi ai. Mustafa shtoi se partitë politike duhet të jenë gjithmonë të gatshme për zgjedhje, por theksoi se në këtë moment ato janë të panevojshme. “Kemi afat deri më 5 mars në orën 24:00 që të zgjedhim presidentin. Jemi të hapur për takime”, përfundoi ai. /Telegrafi/