E vërteta për atë që ndodhi me kufomën e Hitlerit

Nuk pati asnjë dëshmitar të mbijetuar të vetëvrasjes së diktatorit më 30 prill 1945, gjë që krijoi një boshllëk të përshtatshëm kulturor për krijimin e miteve. Nga: Caroline Sharples, autore e librit Vdekja e gjatë e Adolf Hitlerit: Një histori hulumtimi [ Long Death of Adolf Hitler: An Investigative History ], që do të botohet më 10 mars Përkthimi: Telegrafi.com Më 30 prill 1945, në bunkerin e tij në Berlin, Adolf Hitleri qëlloi veten për vdekje. Megjithatë, pavarësisht efektit të atij plumbi, fati i tij mbeti i mbuluar me spekulime dhe ka shërbyer si terren pjellor për teori konspirative. Mitet për mbijetesë, të ilustruara më së famshmi përmes fantazisë për një arratisje dhe strehim në Amerikën e Jugut, kanë rezultuar çuditërisht të qëndrueshme. Asnjë historian serioz nuk merret me rrëfime të tilla. Megjithatë, vlen të shtrohet pyetja pse fundi i Hitlerit ka rezultuar të jetë një pikë kaq e vazhdueshme diskutimi. Çfarë nxiti kaq shumë dyshim mbi statusin e tij si i vdekur? Pse njerëzit këmbëngulnin se e kishin parë gjallë shumë kohë pas Luftës së Dytë Botërore? Dhe, çfarë zbulon vazhdimësia e këtyre dyshimeve, për gatishmërinë tonë për të pasur besim te dosjet historike? Siç mësova gjatë hulumtimit për një libër të ri, Vdekja e gjatë e Adolf Hitlerit [ The Long Death of Adolf Hitler ], këto thashetheme kanë rrënjë të vjetra, kryesisht në pritshmërinë e madhe që ishte krijuar rreth idesë së vdekjes së Hitlerit - vite përpara se ajo të ndodhte. Propaganda aleate e paraqiste rregullisht atë si të plagosur nga pesha e përpjekjeve ushtarake të armiqve të tij, ose të vrarë nga civilë të virtytshëm që “jepnin kontributin e tyre”. Një poster amerikan e imagjinonte atë të varur në trekëmbëshin e ndërtuar nga kontributet për obligacionet e luftës. Ekzistonin shumë këngë, lojëra dhe shaka të mbështetura në idenë e vallëzimit mbi varrin e Hitlerit. Gazetat në një kioskë në Berlin në vitin 1949; përfshirë ato që raportonin mbi pretendimet se Hitleri ishte ende gjallë (Bettmann) Brenda Gjermanisë naziste, kishte gjithashtu pritshmëri të qarta kulturore se si duhej të dukej vdekja e Hitlerit. Regjimi kishte përsosur prej kohësh artin e funeraleve madhështore shtetërore për heronjtë e tij të rënë dhe kishte përhapur legjenda martirizimi. Po të kishte vdekur në detyrë në kulmin e pushtetit të tij, Hitleri do të kishte pasur një lamtumirë madhështore. Në vend të kësaj, ai vdiq me Gjermaninë në rrënoja dhe me ndryshimin e pashmangshëm të regjimit. Nuk pati asnjë mundësi për funeral të planifikuar apo për një periudhë zie kombëtare. Vetëvrasja e tij ishte çështje private. Ai la udhëzime të qarta që kufoma e tij të digjej për të parandaluar rënien e saj në duart e armikut. Diktatori, pra, nuk u pa duke vdekur - dhe kjo krijoi një zbrazëti kulturore të përshtatshme për krijimin e miteve. Fillimisht, lajmi për vdekjen e Hitlerit ngjalli emocione të përziera. Pati momente gëzimi - një grup minatorësh australianë të qymyrit ndërprenë punën atë ditë, gjë jo e vogël në mes të angazhimeve për luftë - si edhe lehtësim të përhapur se lufta në Evropë më në fund do të përfundonte. Por, pati gjithashtu mpirje dhe mosbesim. Një grua londineze, për shembull, këmbëngulte se mendonte se do ta “ndiente” atë edhe më fort. Faqja e parë e gazetës “Evening Star” më 5 maj 1945, disa ditë pas vdekjes së Hitlerit Pas kaq shumë pritjeje, pati zhgënjim që Hitleri i kishte shpëtuar drejtësisë. Akti i vogël i fundit të tij ishte larg përpjesëtimit me shkallën e krimeve të tij, dhe kjo mospërputhje emocionale bëri që realiteti banal i vdekjes së tij t’u dukej disave i pakënaqshëm, madje i pabesueshëm. Shqetësimi publik u thellua kur dolën versionet kontradiktore lidhur me vetë shkakun e vdekjes së Hitlerit. Radioja naziste shpalli se Fyreri kishte rënë duke “luftuar deri në frymën e fundit” kundër Ushtrisë së Kuqe. Aleatët, duke pasur frikë nga krijimi i një legjende të vdekjes heroike, u kundërpërgjigjën shpejt me rrëfime për shëndetin e përkeqësuar të Hitlerit. Kur anëtarët e bunkerit të Hitlerit, të vendosur nën arrest, përshkruan vetëvrasjen e tij, sovjetikët e hodhën poshtë idenë se Hitleri kishte qëlluar veten dhe në vend të kësaj e paraqitën një figurë të dobësuar që kishte marrë helm. Ndërsa fuqitë e ndryshme shtynin versionin e tyre të ngjarjeve, publiku i tyre u bë skeptik se ku qëndronte e vërteta. Një kukull që përfaqësonte Hitlerin, varur mbi kampin e përqendrimit të sapoçliruar të Buhenvaldit Stalini e ndërlikoi më tej situatën me mohimet e tij këmbëngulëse se vdekja e Hitlerit kishte ndodhur vërtet. Pse saktësisht udhëheqësi sovjetik këmbënguli në këtë qëndrim, kjo mbetet e paqartë; pjesërisht lidhej me natyrën e tij mosbesuese dhe me frustrimin që nuk mundi të siguronte një trup të identifikueshëm që mund të ekspozohej para botës. Por, kishte edhe përparësi strategjike. Për sa kohë që njerëzit shqetësoheshin për një rikthim të mundshëm të Hitlerit dhe për ringjalljen naziste që mund të pasonte, Stalini mund të shtynte për një linjë më të ashpër kundër Gjermanisë në marrëveshjen e paqes pasluftës, e cila përfshinte kërkesën që Bashkimi Sovjetik të ruante një sferë ndikimi në zemër të Evropës Lindore. Shërbimet britanike të inteligjencës u përpoqën t’i jepnin fund konfuzionit përmes një hetimi zyrtar mbi lëvizjet e fundit të Hitlerit. Vendimi i tyre, i shpallur më 1 nëntor 1945, përfundoi se udhëheqësi nazist kishte qëlluar veten, së bashku me partneren e tij Eva Braun, e cila kishte marrë cianid. Por, çështja mbështetej në një numër të kufizuar dëshmitarësh, vetëm njëri prej të cilëve kishte parë trupin e Hitlerit. Pjesa më e madhe e stafit të mbetur të Hitlerit veçse ndodhej në paraburgim sovjetik, përtej mundësisë së marrjes në pyetje nga hetuesit perëndimorë. Tensionet në rritje të Luftës së Ftohtë penguan ndarjen haptazi të provave, dhe sovjetikët këmbëngulën në pretendimin e tyre se asnjë mbetje e Hitlerit nuk ishte gjetur në afërsi të bunkerit. Si rezultat, teza e vdekjes me armë zjarri hasi në vështirësi për të pasur një pranim universal. Një burrë pranon ftesën për të ngulur gozhdën në arkivolin e Hitlerit, në Sheshin Trafalgar në Londër, më 1943 (AP/Alamy) Pasiguria mbi fatin e Hitlerit mori një jetë më vete. Në Gjermaninë e pasluftës, skepticizmi nxiti një mori thashethemesh. Disa pretendonin se e kishin parë ish-diktatorin të fshehur në pyjet jashtë Hajdelbergut; disa të tjerë këmbëngulnin se ai jetonte me një emër të rremë në Hanover, ose lundronte përgjatë bregdetit të Shlesvig-Holshtajnit me një jaht luksoz. Një gazetar aleat mendoi se përhapja e tregimeve të tilla tregonte një popullsi në varësi emocionale, që nuk ishte e gatshme, ose nuk ishte në gjendje, të pranonte se udhëheqësi i saj kishte ikur. Megjithatë, këto histori nuk ishin patjetër të krijuara si burime ngushëllimi. Në fakt, kishte ankesa të zakonshme se Hitleri i kishte tradhtuar njerëzit e vet, se nuk kishte pasur kurrë guximin të përballej me vdekjen në betejë. Pas viteve të propagandës së pamëshirshme naziste, shumë gjermanë shprehën mosbesim ndaj burimeve zyrtare, duke krijuar hapësirë për narrativa alternative pëshpëritëse dhe për “të brendshëm” të vetëshpallur që të dilnin me rrëfimet e tyre për vendndodhjen e supozuar të Hitlerit. Së shpejti, tregimet për një maskim nazist, u zgjeruan për të, përfshirë rrugë të ndërlikuara arratisjeje dhe vende fshehjeje anembanë botës. Pretendohej se Hitleri po strehohej në një manastir tibetian; drejtonte një fermë në Nju-Meksiko; lante enë në një restorant në Majami. Legjenda më e qëndrueshme, e lehtësuar nga precedenti i nazistëve të tjerë të rangut të lartë që kërkuan strehim në Amerikën e Jugut, këmbëngulte se ai kishte zbarkuar në një plazh argjentinas nga një nëndetëse gjermane. Idetë e tilla ofronin një alternativë dramatike ndaj rrëfimit zhgënjyes të vetëvrasjes pas dyerve të mbyllura. Është e pamundur të gjurmohen origjinat e këtyre historive, e lëre më të përcaktohet se sa njerëz i shpërndanë, i besuan apo madje i hodhën poshtë ato. Megjithatë, dokumentet arkivore tregojnë se disa pretendime u konsideruan mjaftueshëm intriguese për t’i justifikuar hetimet. Britanikët kaluan gjashtë javë duke verifikuar pretendimet se Hitleri kishte kaluar nëpër Hamburg. Disa thashetheme mund të kenë buruar nga kërkimi i vëmendjes ose nga përpjekjet e qëllimshme për të mbajtur gjallë frymën naziste; por, ata që bënin përpjekje për t’i raportuar dyshimet e veta tek autoritetet, zakonisht e paraqisnin veten si figura që respektonin ligjin dhe dëshironin që Hitleri të vihej para përgjegjësisë për krimet e tij. Kërkimi për prova përfundimtare të vdekjes së Hitlerit është shtrirë për disa dekada. Vetëm në vitin 2018, shkencëtarët francezë mundën të pohonin se mbetjet dentare të ruajtura në Moskë, që nga fundi i luftës, i përkisnin atij. Regjistri i dëshmive është zgjeruar ndjeshëm që nga viti 1945, por publikimi i pjesshëm i këtij informacioni ka shkaktuar si momente të reja entuziazmi publik, ashtu edhe mundësi të reja për skeptikët për të gjetur mangësi. Kritikët janë kapur pas mospërputhjes më të vogël midis dëshmive të dëshmitarëve, kanë hedhur poshtë daljen e mëvonshme të një raporti të autopsisë si falsifikim propagandistik dhe, së fundmi, janë përqendruar në pretendimet se një fragment i vogël i kafkës njerëzore, gjithashtu i marrë nga sovjetikët, nuk mund të lidhet me siguri me Hitlerin. Çdo zbulim i ri, në vend që ta mbyllë çështjen, kishte prirje për ta rihapur atë. Dhe, kështu, legjenda e mbijetesës së Hitlerit vazhdon të rishfaqet, e ilustruar së fundmi nga sugjerimi se një deklasifikim i dokumenteve argjentinase mund të përmbysë gjithçka që mendojmë se dimë për fatin e tij. (Me shumë gjasa, nuk do ta bëjë këtë.) Qëndrueshmëria e këtyre miteve flet për një dyshim të vazhdueshëm ndaj rrëfimeve zyrtare; ajo gjithashtu i detyrohet shumë brengës tonë të rrënjosur ndaj paqartësisë. Mohimet e Stalinit, rivalitetet e Luftës së Ftohtë, mungesa (e dukshme) e një trupi - po, të gjitha këto ndihmuan për t’i mbajtur gjallë dyshimet, por po ashtu edhe një etje e përhershme për histori që ofrojnë dramë, mister ose premtimin e një llogaridhënieje që ende pritet. Hitleri mund të ketë vdekur në atë bunker, por pas vdekjes ai ka pasur një jetë shumë të gjatë. /Telegrafi/