Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Gjakovë – Sektori i Hetimeve, me autorizim nga Prokurori i Shtetit, dhe në kuadër të zhvillimit të procedurave hetimore kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar. Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se personi i dyshuar dyshohet se më datë 12.10.2025, në një qendër tregtare në Gjakovë ka kryer veprat penale “Kanosje” dhe “Sulm” dhe siç thuhet në njoftim “pavarësisht angazhimeve dhe veprimeve të ndërmarra deri më tani, identiteti i tij ende nuk është zbuluar”. “Me qëllim të rritjes së efikasitetit të procedurës hetimore, ftojmë të gjithë qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion i cili mund të ndihmojë në identifikimin ose lokalizimin e personit të dyshuar, i cili shihet në fotografinë e bashkangjitur, të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes: numrit emergjent 192, stacionit policor më të afërt, ose përmes e-mailit zyrtar: info@kosovopolice.com”. /Telegrafi/