Dy gjigantët anglezë rivalizojnë Barcelonën për Bastonin

Barcelona është një nga tre klubet që vazhdojnë të jenë të interesuara për Alessandro Bastoni, megjithëse Interi nuk është i gatshëm ta lërë të lirë lehtësisht mbrojtësin e tij, vlera e të cilit mund të arrijë deri në 100 milionë euro. Ditët e fundit është raportuar për dëshirën e Bastonit për të zgjatur kontratën e tij përtej qershorit 2028, por spekulimet për një largim të mundshëm në fund të sezonit nuk janë ndalur. Sipas faqes CaughtOffside, përveç Barcelonës, edhe Arsenali dhe Liverpooli po e monitorojnë nga afër situatën e mbrojtësit italian. Megjithatë, Interi nuk ka ndërmend ta lehtësojë largimin e tij dhe do të kërkojë një shumë që mund të shkojë deri në 100 milionë euro, një shifër thuajse e paarritshme për Barcelonën për shkak të vështirësive financiare, por potencialisht e përballueshme për klubet e Ligës Premier, të cilat vazhdojnë të demonstrojnë fuqi të madhe ekonomike në merkato. Produkt i akademisë së Atalantës, lojtari i lindur në Casalmaggiore iu bashkua Interit në verën e vitit 2017 dhe që atëherë ka regjistruar 291 paraqitje zyrtare, me tetë gola dhe 30 asistime, ndërsa ka zhvilluar edhe 41 ndeshje me përfaqësuesen e Italisë. /Telegrafi/