Jasir Asani ia del të largohet nga Irani mes tensioneve të krijuara nga lufta

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, ka arritur të largohet nga Irani pas situatës së vështirë të krijuar nga lufta dhe tensionet në vend. Lajmi është pritur me lehtësim nga tifozët dhe opinioni sportiv, ndërsa vetë lojtari ka reaguar me një mesazh prekës. Në një deklaratë publike, Asani ka falënderuar klubin për mbështetjen në këto momente delikate. “Klubi ka bërë gjithçka që unë të largohem, por pavarësisht kësaj situate të vështirë, shpresoj që gjërat të qetësohen dhe paqja të rikthehet”. “Lutem sinqerisht që gjithçka të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, sepse një vend si Irani me njerëz kaq të mirë që më kanë treguar dashuri dhe respekt meriton të jetojë në paqe”, ka shkruar Asani në Instagram. Pavarësisht rrethanave të vështira, Asani ka zgjedhur të theksojë respektin dhe vlerësimin për popullin iranian, duke uruar rikthimin sa më të shpejtë të paqes dhe stabilitetit. Largimi i tij konsiderohet një hap i rëndësishëm për sigurinë personale, ndërsa pritet që në ditët në vijim të mësohet më shumë rreth hapave të ardhshëm në karrierën e sulmuesit shqiptar./ Telegrafi /