David Domgjoni flet nga Izraeli: Situata është më e qetë, nesër udhëtoj për Kosovë

Mbrojtësi nga Kosova, David Domgjoni, i cili luan në Izrael te ekipi elitar Hapoel Jerusalem, ka folur për situatën në këtë vend, ku futbolli tashmë është pezulluar pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit. Domgjoni, sikurse edhe Emir Sahiti, po e vazhdon karrierën në Izrael, vend që prej kohësh është përballur me tensione, ndërsa futbolli kishte vazhduar deri në zhvillimet e fundit. Në një bisedë të shkurtër për Telegrafin, Domgjoni ka bërë të ditur se të mërkurën do të largohet nga Izraeli, ku aktualisht është bashku me familjen e tij. “Situata sot është më e qetë këtu ku jam unë. Në konsultim me klubin, nesër do të largohem nga Izraeli. Do të udhëtoj fillimisht në Egjipt, pastaj nga aty në Kosovë”, deklaroi Domgjoni. Ai shtoi se nuk e ka shkëputur kontratën me klubin, edhe pse i është dhënë mundësia për ta bërë këtë. “Derisa të mbarojë lufta do të qëndroj në Kosovë. Kam kontratë edhe një vit e gjysmë, me mundësi që ta vazhdoj edhe për një vit tjetër”, shtoi ai. Domgjoni, i cili ka tri paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, ka ndërtuar karrierë në disa vende të ndryshme. Ai ka luajtur për Tiranën, Kastriotin, Lirinë, Laçin, Menemensporin, Luzernin, Niecieczën, Manisën, Tobolin dhe Partizanin. /Telegrafi/