Zbulohet kostoja e stadiumit më të madh në botë, ndërtimi nisi në dhjetor - tani dihet kur përfundon

Ndërsa stadiumet moderne të futbollit sapo kanë filluar të kalojnë shifrën prej një miliard eurosh për ndërtim, në Azi ka nisur një projekt gjigant që do të kushtojë plot 28 miliardë funte (rreth 32 miliardë euro). Bëhet fjalë për stadiumin e ri Trong Dong në Hanoi të Vietnamit, i cili pritet të bëhet arena sportive më e madhe në botë. Guri i themelit u vendos më 19 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa punimet tashmë kanë nisur. Kur të përfundojë, stadiumi do të ketë kapacitet prej 135,000 ulësesh, duke e bërë zyrtarisht stadiumin më të madh të futbollit në botë. Ky projekt synon t’i hapë rrugën Vietnamit për të organizuar ngjarje madhore si Kupa e Botës, Kupa e Azisë dhe, mbi të gjitha, Lojërat Olimpike. Sipas planit, stadiumi pritet të përfundojë në gusht të vitit 2028, ndërsa i gjithë kompleksi – që përfshin zona rezidenciale, objekte biznesi dhe qendra të tjera sportive – do të përmbyllet deri në vitin 2035. Kostoja prej 28 miliardë funte (32 milionë euro) nuk i referohet vetëm stadiumit, por të gjithë projektit urban dhe sportiv. Frymëzim nga qytetërimi i lashtë vietnamez Arkitektura e stadiumit do të frymëzohet nga daullja prej bronzi Dong Son, simbol i qytetërimit të lashtë vietnamez. Fasada do të ketë elemente të bazuara në këtë motiv, si dhe detaje të frymëzuara nga zogu mitik Lac. Projekti synon të përfaqësojë frymën e komunitetit, forcën dhe jetëgjatësinë. Stadiumi do të jetë i pajisur me teknologji të avancuar dhe do të ketë çati të lëvizshme. Zyrtarët vietnamezë theksojnë se arena do të shërbejë jo vetëm për ngjarje sportive, por edhe për aktivitete kulturore dhe socio-politike, duke rritur reputacionin ndërkombëtar të vendit. Për krahasim, stadiumi Trong Dong do të jetë më i madh se Grand Stade Hassan II në Marok, i cili është aktualisht në ndërtim dhe pritet të ketë kapacitet prej 120,000 vendesh, me synimin për të pritur finalen e Kupës së Botës 2030. Me këtë projekt ambicioz, Vietnami synon të vendoset në hartën globale të organizimit të eventeve më të mëdha sportive në botë. /Telegrafi/