Qeni me sytë “si xham” që po bëhet obsesion - s’i duron të huajt, adhuron fëmijët

Si duket, sa rritet, çfarë ushtrimesh i duhen dhe pse pronari duhet të ketë përvojë Alapaha Blue Blood Bulldog është një racë e rrallë buldogu, e njohur për trupin atletik, instinktin e fortë mbrojtës dhe pamjen e dallueshme. Fillimisht është rritur në jug të SHBA-së, kryesisht në Georgia, dhe raca ka një fond gjenetik të kufizuar, por po fiton njohje në mbarë botën. Për adhuruesit e qenve që u pëlqejnë buldogët, por kërkojnë një qen të pazakontë dhe robust, Alapaha është një zgjedhje unike. Ky qen nuk është aq i popullarizuar te adhuruesit e qenve të tipit “bul”, por është fascinant në shumë aspekte. Paraardhësi i tij është Old English Bulldog, i cili kishte rolin e luftëtarit me dema, e më pas edhe të qenit të bagëtive. Për dekada, anëtarët e familjes Lane ishin të vetmit mbarështues të buldogëve Alapaha në botë. Meshkujt e Alapaha Blue Blood Bulldog janë pothuajse dy herë më të rëndë se femrat. Të dy gjinitë kanë ngjyra të theksuara: qimet u janë gri-blu dhe të bardha, me pika të zeza të shpërndara. Ata janë mbrojtës ndaj njerëzve që i duan dhe neutralë ose edhe agresivë ndaj të huajve. Pamja dhe veçoritë e Alapaha Blue Blood Bulldog Alapaha Blue Blood Bulldog ka kokë të gjerë katrore me faqe muskulore, kraharor të gjerë dhe trup të fortë. Veçoria kyçe është kafka me majë të sheshtë, ndërsa veshët e tij natyralë kanë formë V; veshët e varur janë të vendosur lart dhe gjerë për të theksuar profilin katror. Sytë i ka të vendosur larg njëri-tjetrit dhe ngjyra e tyre është kafe ose blu, ku “sytë prej xhami” (blu të akullt) vlerësohen shumë. Kjo racë, me madhësi nga mesatare në të madhe, ka qime të shkurtra, të forta e me shkëlqim, më së shpeshti të bardha me njolla me ngjyrë, ku bën pjesë edhe varianti i rrallë merle, si merle blu, kafe ose i kuq, merle tigror ose njolla trengjyrëshe. Meshkujt mund të peshojnë deri në 40 kilogramë, ndërsa femrat janë më të vogla, por muskulore. Temperamenti i Alapaha Blue Blood Bulldog Temperamenti i alapahës është i veçantë: është një qen inteligjent që mëson shpejt, besnik ndaj familjes që e ruan me vigjilencë. Alapaha njihet se shkon mirë me fëmijët, shpesh është mbrojtës ndaj tyre, por këtij qeni i nevojitet socializim i hershëm. Duhet të shëtitet çdo ditë dhe të jetë aktiv, por është e domosdoshme të vendosen kufij të qartë dhe të stërvitet me qëndrueshmëri, sepse di të jetë shumë kokëfortë, transmeton Telegrafi. shutterstock Shëndeti dhe jetëgjatësia e Alapaha Blue Blood Bulldog Shumica e racave të buldogëve përballen me probleme shëndetësore që lidhen me sëmundje trashëgimore, gjë që mund t’ua kufizojë jetëgjatësinë. Alapaha Blue Blood Bulldog ka shëndet më të mirë se tipat e tjerë të buldogëve dhe jetëgjatësia e tij është nga 10 deri në 12 vjet. Për shkak të fondit gjenetik të kufizuar, mund të shfaqen disa probleme shëndetësore, përfshirë entropionin (probleme me qepallat) dhe displazinë e ijeve, të shpeshta te tipat këmbëshkurtër. Kontrollet e rregullta veterinare dhe mbarështimi i përgjegjshëm janë jetike për minimizimin e rreziqeve shëndetësore. A është Alapaha Blue Blood Bulldog një kafshë shtëpiake e mirë? Për pronarët që duan një buldog besnik, të stërvitur dhe mbrojtës, pa problemet shëndetësore ekstreme që shihen te racat e tjera të buldogëve, alapaha është një opsion bindës. Zakonisht është i qetë dhe i pastër, por do t’ju paralajmërojë shpejt për vizitorët ose tingujt e pazakontë. Përshtatet mirë me ambiente të ndryshme jetese, por i nevojitet ushtrim i mjaftueshëm dhe stimulim mendor që të jetë i lumtur. Duke pasur parasysh natyrën e tij roje dhe dominimin e mundshëm, u përshtatet pronarëve me përvojë me raca të ngjashme. Pronësi dhe mbarështim i përgjegjshëm i Alapaha Blue Blood Bulldog Për shkak të rrallësisë së racës, është e domosdoshme të gjenden mbarështues të njohur që i japin përparësi kontrolleve shëndetësore dhe praktikave etike të mbarështimit. Stërvitja e alapahës duhet të jetë e butë, por e vendosur, duke përdorur metodën e shpërblimit dhe lavdërimit, në mënyrë që qeni të bëhet i edukuar dhe vetëbesues. Socializimi intensiv, sidomos pranë fëmijëve, qenve të tjerë dhe të huajve, është i domosdoshëm për të zbutur prirjen e mundshme të tepruar mbrojtëse të këtij qeni. /Telegrafi/