Barcelona bëri gjithçka për të realizuar një rikthim historik, por në fund nuk arriti ta përmbysë humbjen 4-0 nga ndeshja e parë. Fitorja 3-0 në “Camp Nou” nuk mjaftoi dhe Atletico Madrid siguroi kalimin në finale falë epërsisë së përgjithshme. Takimi nisi me ritëm të lartë, por Barcelona mori kontrollin gradualisht. Në minutën e 13-të, Jules Kounde u detyrua të largohej për shkak dëmtimi, ndërsa në vend të tij u aktivizua Alejandro Balde. Raphinha paralajmëroi që herët në minutën e 14-të me një goditje të fortë që kaloi ngushtë pranë shtyllës së majtë. Në minutën e 29-të erdhi shpërthimi i parë i madh në “Camp Nou”. Lamine Yamal asistoi bukur për Marc Bernal, i cili e dërgoi topin në rrjetë për 1-0, duke ndezur shpresat për rikthim. telegrafi.com Atletico pati një rast të artë në minutën e 45+2, kur Ademola Lookman goditi me kokë, por topi përfundoi jashtë. Vetëm një minutë më pas, Marc Pubill shkaktoi penallti pas një ndërhyrjeje të gabuar. Raphinha u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 45+5, duke realizuar për 2-0 dhe duke çuar në delir tifozët vendas.Pas avantazhit 2-0 në pjesën e parë, Barcelona vazhdoi me presion edhe në fraksionin e dytë. Në minutën e 72-të shpërtheu stadiumi, kur Marc Bernal realizoi për 3-0 pas një asistimi të bukur nga Joao Cancelo. Goli u rishikua nga VAR-i, por në fund u konfirmua, duke rritur besimin për një rikthim të pabesueshëm. A ka shpresë për Barcelonën - shkon në pushim me dy gola epërsi ndaj Atletico Madridit telegrafi.com Barcelona kërkoi me ngulm golin e katërt që do ta çonte ndeshjen në vazhdime. Lamine Yamal ra në zonë në minutën e 81-të, por gjyqtari nuk akordoi penallti. Në minutën e 89-të, Gerard Martin humbi një rast të artë, duke e dërguar topin mbi traversë nga një pozitë ideale. Edhe në kohën shtesë pati tension, me Raphinhan që kërkoi penallti tjetër në minutën e 90+1, por gjyqtari Ricardo De Burgos bëri me shenjë që loja të vazhdonte. Barcelona i afrohet mrekullisë, por në fund mbetet vetëm me duartrokitjet e tifozëve për paraqitjen dhe luftën deri në sekondën e fundit. Finalisti tjetër caktohet nga ndeshja Real Sociedad - Real Betis. /Telegrafi/