Zhvendoset shtylla e tensionit të lartë pranë objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se është realizuar me sukses zhvendosja e shtyllës së tensionit të lartë që ndodhej pranë objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV), hap ky që mundëson funksionalizimin e plotë të ndërtesës. Puna e pandërprerë e menaxhmentit të UP-së dhe drejtuesve të FBV-së, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Rektorit, Arben Hajrullahu, ka garantuar largimin e telave të rrymës dhe të shtyllës që pengonte shfrytëzimin e objektit. Ky veprim, pas më shumë se dhjetë vjetësh mosfunksionimi, krijon kushtet për siguri infrastrukturore dhe për pritjen e studentëve të rinj dhe ekzistues në vitin akademik 2026/’27. Objekti i ri, i ndërtuar pranë shtyllës së tensionit të lartë dhe depozitimeve të KEDS-it, kishte mbetur i pazbatuar për shkak të rrezikut dhe pengesave infrastrukturore. Në vitin 2025, rektori Hajrullahu kishte paralajmëruar se Fakulteti mund të mos akreditohej për shkak të mungesës së hapësirës. Edhe pse depot janë larguar nga hapësirat afër objektit, pranë tij vazhdohet me shfrytëzimin e paautorizuar të pronave të Universitetit. Rektori apelon te organet kompetente për ndërhyrje të menjëhershme për lirimin e këtyre hapësirave, për të mundësuar funksionalizimin e plotë të objektit të FBV-së. Ky hap i rëndësishëm synon të shndërrojë objektin e braktisur më shumë se një dekadë në një qendër funksionale, të gatshme për fillimin e vitit akademik 2026/27. / Telegrafi /