Ujësjellësi i kryeqytetit me kontrata për shërbime, konsumatorët që nuk firmosin – shkyçen nga rrjeti

KRU Prishtina ska njoftuar se duke filluar nga java e ardhshme, do të nisë intensivisht procesin e nënshkrimit të kontratave për shërbime me të gjithë konsumatorët e kyçur në rrjetin e ujësjellësit. Në një komunikatë zyrtare, kompania thekson se “me Kontratën e Shërbimeve të Ujit rregullohen marrëdhëniet juridike ndërmjet palëve kontraktuese, përkatësisht të drejtat dhe obligimet e ndërsjella”. Kontrata përmban të drejtat dhe obligimet e palëve, procedurat për ankesa dhe kërkesa, mënyrën e faturimit, si dhe dispozita të tjera të bazuara në legjislacionin në fuqi. Sipas KRU Prishtina, “të gjitha këto do t’i kumtohen drejtpërdrejt konsumatorit para nënshkrimit obligativ të kontratës për shërbime”. Kompania apelon që nënshkrimi të kryhet pa hezitim, pasi mosnënshkrimi mund të shkaktojë pengesa në realizimin e të drejtave dhe detyrimeve të dyanshme. “Mosnënshkrimi i kontratës, e cila përbën detyrim ligjor për të gjithë konsumatorët e kyçur në rrjetin e ujësjellësit, do të rezultojë me pamundësinë e vazhdimit të ofrimit të shërbimeve dhe shkyçje nga sistemi i furnizimit me ujë deri në përmbushjen e këtij obligimi”, thuhet në njoftim. Për nënshkrimin e kontratës, konsumatorët duhet të paraqiten në zyrat e shërbimit ndaj klientëve të KRU Prishtina me letërnjoftim dhe dokumentin që vërteton pronësinë ose shfrytëzimin e njësisë banesore. KRU Prishtina falënderon paraprakisht konsumatorët për bashkëpunimin dhe respektimin e këtij obligimi ligjor. / Telegrafi /