Dy futbollistë nga Ballkani, të bashkuar nga e kaluara dhe nga një situatë dramatike në Lindjen e Mesme, arritën të largohen nga Irani pas shpërthimit të luftës. Futbollisti nga Maqedonia e Veriut, Stefan Ashkovski, i është falënderuar publikisht futbollistit shqiptar Jasir Asanit për ndihmën vendimtare që i dha për tu larguar nga vendi. Të dy lojtarët aktivizohen në kampionatin iranian. Ashkovski luan për Mes Rafsanjan, ndërsa Asani është pjesë e gjigantit iranian Esteghlal, një prej klubeve më të mëdha në vend. Ata kanë edhe një lidhje të hershme mes tyre, pasi kanë luajtur së bashku te FK Vardar kur ishin fëmijë. Pas tre ditësh nga nisja e luftës dhe përshkallëzimit të situatës së sigurisë, dy futbollistët arritën të largoheshin nga Irani. Në momentin kur shpërtheu konflikti, ata ndodheshin rreth 15 orë larg njëri-tjetrit. Jasir Asani ia del të largohet nga Irani mes tensioneve të krijuara nga lufta Ashkovski arriti të mbërrinte në kufirin iranian falë një shoferi të siguruar nga Asani. Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë gëzon statusin e një ylli në Iran dhe kishte në dispozicion tre shoferë nga klubi i tij, të gatshëm 24 orë në ditë. “Në ditën e fundit ishim jashtë. Kur jam atje, kam tre shoferë nga klubi, janë në dispozicion 24 orë në ditë për ne”, ka rrëfyer Asani. Situata për Ashkovski ishte tejet e vështirë. Në një prononcim për Sport1.mk, ai ka treguar se për tri ditë nuk kishte ngrënë dhe nuk kishte pirë asgjë, pasi gjithçka në vend ishte mbyllur, ndërsa klubi i tij nuk po i ofronte ndihmë. “Udhëtova nga Rafsanxhani deri në Teheran për 15 orë, pastaj nga kufiri me aeroplan për në Stamboll. Ishte shumë e vështirë të kaloje nëpër Iran. Jasiri më ndihmoi, ai kishte shoferin e tij dhe arrita të largohem me të. Sa herë që luajmë si mysafirë, akomodohemi në Teheran”, nis rrëfimin Ashkovski. Gjatë udhëtimit drejt kufirit, ai përjetoi momente të rënda, duke parë shpërthime bombash nga afër, rrënoja dhe mungesë të gjërave elementare për jetesë. Situata u komplikua edhe më tej për shkak të problemeve me vizën e daljes, por në fund gjithçka u zgjidh. “Kishte sulme kudo, madje edhe pranë meje, sapo kishin filluar. Për tre ditë nuk kisha ngrënë as pirë. Vetëm mendoja të largohesha nga vendi. Pas vrasjes së liderit të tyre (Ali Khamenei), asgjë nuk funksiononte, gjithçka ishte mbyllur”. “Ishte shumë e vështirë, por përfundoi mirë. Tani mezi pres të shkoj në shtëpi, të fle dhe të pushoj pak”, ka thënë ai./ Telegrafi /