Ish-mesfushori i Barcelonës, Arturo Vidal, ka nisur një sulm sensacional ndaj Real Madridit, duke sugjeruar se futja e sistemit VAR ishte projektuar posaçërisht për të frenuar, sipas tij, favorizimet e pretenduara të gjyqtarëve ndaj gjigantëve spanjollë. Kiliani, i njohur për stilin e tij luftarak dhe natyrën e drejtpërdrejtë, ka një rivalitet të hershëm me “Los Blancos”, që daton nga përplasjet e bujshme në Ligën e Kampionëve. Gjatë një paraqitjeje në podcastin “Enfocados”, 38-vjeçari u pyet për historinë e tij ndaj kampionëve 15-herë të Europës. Vidal nuk u përmbajt, duke rikthyer në vëmendje episodet nga koha e tij në Gjermani dhe Spanjë. “Po, jam ndier i vjedhur nga Real Madrid. Në dy ndeshje me Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, në çerekfinale dhe gjysmëfinale, kur na eliminuan”. Vidal e lidhi drejtpërdrejt avancimin teknologjik me përvojat e tij personale kundër klubit madrilen, duke bërë një pretendim që pritet të shkaktojë reagime të forta në Madrid. Duke vijuar deklaratat e tij në podkast, ish-lojtari i Juventusit pretendoi se sistemi ekziston pikërisht për shkak të Real Madridit. “VAR u fut për shkak të Real Madrid. Para kësaj kishte thjesht shumë mashtrime. Prandaj e shpikën VAR-in, që të mos vidhnin më”, përfundoi ai. Rrënjët e këtij rivaliteti të ashpër kthehen te sezoni 2016/17 i Ligës së Kampionëve, kur Bayern u eliminua në një ndeshje të shoqëruar me polemika. Në ndeshjen e kthimit të çerekfinales në “Santiago Bernabeu”, Vidal u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 84-të, pasi mori kartonin e dytë të verdhë, ndonëse dukej se kishte fituar pastër topin në një duel me Marco Asensio. Ky vendim rezultoi fatal për Bayernin, që përfundimisht humbi 4-2 (6-3 në total) pas kohës shtesë, me Cristiano Ronaldon që përfitoi nga disa vendime të diskutueshme atë mbrëmje./ Telegrafi /