Ferizaj mposht Vushtrrinë dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Ferizaj ka arritur fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Vushtrrisë në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës. Fillimi i ndeshjes ishte i qetë me të dyja skuadrat që po tregonin kujdes duke mos lejuar hapësira të shumta në fazën defanzive. ‘Ujqit’ ia dolën të shënojnë golin e epërsisë në minutën e 44-të të ndeshjes pas një rivënie këndore. Pasi njëri nga lojtarët e Ferizajt harkoi brenda zonës, topi shkoi drejt tek portieri i cili pati një reagim mjaft të dobët duke çuar topin në rrjetën e tij për rezultatin 1-0. Në pjesën e dytë të besuarit e Nevil Dedes ia dolën të realizojnë edhe golin e qetësisë. Vendasit fituan një penallti në minutën e 76-të të ndeshjes të cilën e shndërroi në gol Erjon Sadriu për rezultatin përfundimtar 2-0. Përveç Ferizajt në gjysmëfinale janë kualifikuar edhe Ballkani dhe Dukagjini, teksa të enjten do të mësohet gjysmëfinalisti tjetër me ndeshjen që do të zhvillohet mes Malishevës dhe Llapit.