Ballkani ka triumfuar në ndeshjen ndaj Gjilanit me rezultat të ngushtë 2-1 për të siguruar kualifikimin në mesin e katër më të mirëve në Kupën e Kosovës. Therandasit kanë shfrytëzuar terrenin vendas dhe formën e mirë për të marrë fitoren e radhës, kësaj radhe në Kupë ndaj Gjilanit, në ndeshjen e vetme të çerekfinales. Në pjesën e parë të ndeshjes, vendasit ishin skuadër më e mirë, më kërkuese, krijuan më shumë raste dhe arritën të shënojnë edhe dy gola. Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 11-të me anë të Bleart Tolajt, i cili shënoi për 1-0, ndërsa Geralb Smajli (40’) shënoi për 2-0. Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, me mysafirët që arritën të kthehen në lojë, por nuk arritën të shënojnë më shumë se një gol. Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 71-të me anë të Senad Jarovic, i cili shënoi për 2-1 dhe deri në fund nuk pati gola dhe Ballkani iu gëzua fitores dhe kualifikimit në gjysmëfinale. Përveç Ballkanit, në gjysmëfinale është kualifikuar edhe Ferizaj dhe Dukagjini, ndërsa skuadra e katërt do të mësohet nesër (e enjte) në ndeshjen Llapi-Malisheva. /Telegrafi/