Dukagjini triumfon ndaj Feronikelit ’74 në Klinë dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Dukagjini ka arritur të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi ka mposhtur me rezultat 2-0 në shtëpi Feronikelin ’74. Për epërsinë e vendasve u përkujdes Dienit Isufi i cili në minutën e 16-të u tregua gjakftohtë përballë portierit mysafir për të realizuar për rezultatin 1-0. Teksa po zhvillohej minuta e 38-të e takimit, Dukagjini ia doli të dyfishojë shifrat. Kësaj radhe autor i golit ishte Altin Mërlaku i cili me një goditje fantastike realizoi nga distanca për rezultatin 2-0. Në pjesën e dytë vendasit ia dolën të menaxhojnë mirë epërsinë e krijuar në 45 minutat e para, ndërsa mysafirët ishin të pafuqishëm për të bërë ndonjë ndryshim në rezultat. Kështu Dukagjini ia doli të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, kompeticion ky që është edhe objektivi kryesor i klubit këtë sezon. Përveç Dukagjinit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës janë kualifikuar edhe Ballkani dhe Ferizaj, teksa të enjten do të mësohet edhe gjysmëfinalisti i katërt me ndeshjen që pritet të zhvillohet mes Malishevës dhe Llapit./ Telegrafi /