Hamza: Pa marrëveshje paraprake politike nuk ka votë nga PDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai përfaqëson nuk do të japë votë për president pa një marrëveshje paraprake politike. Hamza për Kosovapress tha se qëndrimi i PDK-së ka qenë konsistent. “Qëndrimi është i njëjti, Partia Demokratike e Kosovës ka konsistencë, s’kemi pas vija të kuqe, kemi pas vullnet të plotë me votu një kandidat, po nëse do të kishte qenë dikush prej familjes Jashari, flas me respekt, me respekt deri në përulje e vlerësojmë vendimin e familjes. Kemi thanë që duhet të ketë marrëveshje politike, që paraprakisht mi parapri marrëveshja politike që të kemi president të zgjedhur, të propozuarin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha kryetari i PDK-së. Ai u shpreh se nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti në Kuvend lidhur me këtë çështje. Hamza thotë se nuk ka një qëndrim për Andin Hoti i përmendur në media si kandidat i mundshëm i Vetëvendosjes për president. “S’kemi qëndrim se s’ka kandidaturë zyrtare, mirëpo pa marrëveshje paraprake nuk ka votë prej Partisë Demokratike”, tha Hamza.