Kur lëvizja nga Real Madridi mund të jetë e qëlluar - hapa dera e Kupës së Botës për Endrick

Mungesa e konfirmuar e Rodrygos, pavarësisht paraqitjeve të tij i hap një mundësi të artë Endrickut në garën për një vend në Kupën e Botës me Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti. Endrick është kthyer në një fenomen në Francë pas paraqitjeve mbresëlënëse me Olympique Lyon. Sulmuesi brazilian vendosi të largohej nga Real Madridi për më shumë minuta loje, me synimin e qartë: të siguronte një vend në listën e Brazilit për Kupën e Botës. Lëvizja duket se ka dhënë rezultat. Në tetë ndeshje me Lyonin, ai ka realizuar pesë gola dhe ka dhënë katër asiste – duke u përfshirë drejtpërdrejt në nëntë gola. Krahasuar me ish-shokët e tij te Real Madridi, Endrick ka pasur ndikim të ngjashëm në më pak ndeshje, çka ka rritur ndjeshëm kredencialet e tij. Dëmtimi i Rodrygos ndryshon skenarin Lajmi për dëmtimin e rëndë të Rodrygos – këputje e ligamentit dhe dëmtim i meniskut – e nxjerr atë jashtë fushave për 10 deri në 12 muaj. Kjo do të thotë se ai humbet jo vetëm pjesën e mbetur të sezonit, por edhe Kupën e Botës. Rodrygo konsiderohej një kandidat i fortë për listën e Ancelottit, edhe pse sezoni i tij nuk ishte më i miri. Mungesa e tij e hap më shumë konkurrencën në repartin ofensiv. Endrick fiton terren Endrick e nisi sezonin në disavantazh ndaj disa pretendentëve të tjerë, por po fiton besimin e Ancelottit me paraqitje të qëndrueshme dhe punë të palodhur. Ai është i huazuar pa të drejtë blerjeje dhe pritet të rikthehet te Real Madridi sezonin e ardhshëm, pas një eksperience shumë pozitive në Ligue 1. Brazili prej vitesh kërkon një “numër 9” të padiskutueshëm. Aktualisht, rivalët kryesorë të Endrick për këtë pozicion janë Richarlison, i cili tradicionalisht ka pasur besimin e trajnerit, si dhe Joao Pedro dhe Matheus Cunha. Një tjetër emër në garë është Igor Jesus, që po spikat me Nottingham Forest. Gara mbetet e hapur. Lista për dy miqësoret para Kupës së Botës – kundër Francës më 26 mars dhe Kroacisë më 1 prill në SHBA – pritet të japë sinjale të qarta për zgjedhjet përfundimtare të Ancelottit. /Telegrafi/