E ardhmja e Igor Tudor në stolin e Tottenham është vënë në pikëpyetje vetëm pak ditë pas emërimit të tij. Trajneri kroat u zgjodh për të zëvendësuar Thomas Frank me misionin për të rikthyer stabilitetin dhe rezultatet në Ligën Premier, por nisja ka qenë zhgënjyese. Drejtuesit e klubit londinez po ndjekin me shqetësim situatën, teksa skuadra vazhdon të mos tregojë reagim në fushë. Presioni mediatik dhe pakënaqësia e tifozëve kanë rritur tensionin rreth projektit të ri teknik. Debutimi i Tudorit në stol përfundoi me një humbje ndaj Arsenalit, ku Tottenham shfaqi probleme serioze në mbrojtje dhe mungesë intensiteti. Situata nuk ndryshoi as në ndeshjen pasuese kundër Fulham, ku londinezët pësuan një tjetër disfatë. Aktualisht, Tottenham pozicionohet në pjesën e poshtme të tabelës në Ligën Premier, një realitet i papritur në krahasim me pritshmëritë e fillim-sezonit. Pas humbjes së fundit, Igor Tudor nuk i kurseu kritikat, ai shprehu pakënaqësi ndaj paraqitjes së lojtarëve, por edhe ndaj disa vendimeve arbitrale. Trajneri kroat theksoi se ekipi i tij duhet të përmirësojë jo vetëm aspektin taktik, por edhe qëndrimin në fushë, ritmin konkurrues dhe agresivitetin në duele. Sipas tij, problemi është më i thellë sesa skemat e lojës. Në zyrat e klubit po shqyrtohen të gjitha opsionet, edhe pse Tudor ka marrë detyrën prej më pak se dhjetë ditësh, një tjetër rezultat negativ mund të përshpejtojë vendime drastike. Kalendari i vështirë në Ligën Premier nuk i jep shumë kohë trajnerit për të reflektuar, megjithatë Tudor mbetet optimist dhe kërkon kohë për të implementuar idetë e tij. Nëse rezultatet nuk ndryshojnë shpejt, aventura e tij në Londër mund të përfundojë po aq shpejt sa nisi. /Telegrafi/