Trajneri i Borussia Dortmund, Niko Kova c , ka shpërndarë vlerësime të mëdha për talentin 17-vjeçar Samuele Inacio, duke e cilësuar atë si “jo vetëm të ardhmen e klubit, por edhe të futbollit italian dhe të Kombëtares së Italisë”. Inacio bëri së fundmi debutimin e tij profesional, duke u aktivizuar nga stoli në minutat e fundit të supersfidës “Der Klassiker” mes Borussia Dortmund dhe Bayern Munich në Bundesligë, një skenë prestigjioze për hapin e parë në futbollin elitar. “Jemi të lumtur. Samuele është 17 vjeç dhe padyshim do të bëjë shumë mirë”, ka thënë Kovac për Kicker. “Isha i kënaqur me debutimin e tij. Kundër Bayern Munich, imagjinoni! Aspak keq”. Tekniku kroat beson se Inacio do të ketë një rol të rëndësishëm edhe në përfaqësuesen italiane në vitet në vijim. “Ai është një futbollist i madh. Nëse qëndron i shëndetshëm, do të ketë një karrierë të shkëlqyer. Në moshën 17-vjeçare shoh shumë cilësi që i përkasin një lojtari shumë të mirë të së ardhmes. Ai nuk është vetëm e ardhmja e këtij klubi, por edhe e futbollit italian dhe e Kombëtares së Italisë”. Kovac theksoi progresin e vazhdueshëm të talentit të ri. “Po përparon shumë, ka zemër të madhe. Teknikisht është shumë i pastër. Italianët thonë ‘fantasista’. Si numër 10 apo 8, ai sheh në fushë gjëra që në moshën 17-vjeçare, të tjerët në moshën 30 nuk i shohin”. Inacio është gjithashtu në qendër të një mosmarrëveshjeje mes Dortmundit dhe ish-klubit të tij, Atalanta. Talenti u formua në akademinë e klubit nga Bergamo, por u largua në vitin 2024 për t’iu bashkuar Dortmundit si 16-vjeçar, pa pasur kompensim financiar mes palëve, një situatë që ka shkaktuar pakënaqësi te drejtuesit e Atalantës. Megjithatë, për Dortmundin kjo lëvizje po rezulton një investim premtues për të ardhmen, ndërsa Inacio shihet si një nga emrat më interesantë të brezit të ri në futbollin evropian. /Telegrafi/