Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, më 04.03.2026, kanë rifilluar gërmimet vlerësuese në lokacionin “Përzhina” në Rahovec. Sipas njoftimit, gjatë këtyre gërmimeve janë zbuluar mbetje mortore të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore. “Gjatë gërmimeve të realizuara sot janë gjetur mbetje mortore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin për Mjekësi Ligjore, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet forenzike. Numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të mund të konfirmohen vetëm pas përfundimit të analizave përkatëse forenzike”- thuhet në njoftim. KQPZH ka njoftuar se gjatë aktiviteteve të zhvilluara në muajin dhjetor të 2025 janë realizuar gërmime vlerësuese vetëm në një sektor apo hapësirë të zonës së interesit, me ç’ rast janë zhvarrosur mbetje mortore të dy individëve, si dhe janë gjetur disa pjesë kockore. Ndërkaq, po sipas këtij komision, për shkak të kushteve të motit dhe disa faktorëve operacionalë, si dhe duke pasur parasysh sipërfaqen e madhe që kërkon verifikim dhe shqyrtimin e informatave shtesë, punimet në këtë lokacion ishin ndërprerë përkohësisht. “Në përputhje me planifikimet dhe pas krijimit të kushteve për vazhdimin e aktiviteteve, ekipet e institucioneve kompetente, përkatësisht ekipet mjekoligjore të Institutit për Mjekësi Ligjore përfshirë edhe ekspertët e EULEX-it, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës- Sektori për Persona të Zhdukur , në zbatim të urdhëresës për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë rikthyer në këtë lokacion për të vazhduar gërmimet dhe verifikimet në terren”- thuhet në njoftim. Gërmimet sipas KQPZH po realizohen sipas planifikimeve dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe organeve të drejtësisë. Komisioni thot se do të vazhdojë me përkushtim të plotë edhe aktivitetet kërkimore dhe vlerësuese në terren, me qëllim të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, duke informuar opinionin publik në mënyrë të rregullt dhe transparente, me ndjeshmëri të veçantë ndaj familjeve të personave të zhdukur.