Selena Gomez zbuloi sinqerisht se cilat këngë u shkruan për të nga artistja e njohur dhe njëherësh mikja e saj prej vitesh, Taylor Swift. “‘Dorothea’ është për mua”, tregoi ylli i Only Murders in the Building në podcastin “Friends Keep Secrets” të bashkëshortit të saj, Benny Blanco, të martën. Duke reflektuar mbi këngën e albumit të vitit 2020, Evermore, dhe mbi faktin që ajo dhe fituesja e Grammy-t u njohën kur ishin përkatësisht rreth 15 dhe 18 vjeç, Gomez tha: “Mendoj se ishin shumë momente të mëdha që na formësuan”. “Që nga marrëdhëniet te familja, nga dashuria te urrejtja, gjithçka në mes — po e zbulonim së bashku”, shtoi 33-vjeçarja. “Nuk e dinim vërtet çfarë po ndodhte”, vazhdoi ajo. “Kurrë nuk e kemi parë njëra-tjetrën ndryshe. Kur e dëgjoj këngën, më impresionon sa bukur është shprehur”. Në këngë, Swift këndon: “Ti je një mbretëreshë, që shet ëndrra, që shet produkte make-upi dhe revista, nga ty do të blija gjithçka”. Aktorja gjithashtu tregoi se këngëtarja ka shkruar një këngë tjetër nga me titull “Family” për miqësinë e tyre. “Ishte para më shumë se një dekade. Në tekst nënkuptohet, pa e cituar drejtpërdrejt, por afërsisht thotë që ‘ti ke ëndrra të mëdha’”, kujtoi Gomez për këngën që ende nuk është publikuar. “’Ti do të jesh në një film, në çdo turmë unë të shoh ty’”, shpjegoi ajo. “Ndërsa pjesa e saj ishte: ‘ti beson në ëndrrat e mia ‘budallaqe’, si të performoj në stadiume’”. “Tani, kur i dëgjoj ato këngë, të dyja këto gjëra janë bërë realitet për ne. Dhe kjo është shumë e ëmbël, sepse atëherë ajo thjesht tha: ‘E shkrova këtë këngë për ne, është historia jonë,’ dhe ishte gjëja më e ëmbël”. Gomez dhe Swift u bënë mikesha të ngushta kur të dyja “dilnin me vëllezërit Jonas” në vitin 2008. “Unë dilja me Nick Jonas, ndërsa ajo me Joe Jonas”, tregoi ish-ylli i Disney-t në podcastin “Therapuss” gushtin e kaluar. “Ishte e lezetshme. Ishim të reja… Nuk dinim çfarë po bënim.” Gomez u shpreh se ajo dhe autorja e hitit “Lover” pëlqejnë të thonë se “gjëja më e bukur” që dolën nga ato marrëdhënie ishte miqësia e tyre me njëra-tjetrën.