Kurti i ftohtë ndaj Osmanit, nuk e përshëndet në Kuvend - Konjufca e Haxhiu ia zgjatën dorën

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kryeministri Albin Kurti nuk e përshëndeti presidenten Vjosa Osmani, ndryshe nga bashkëpartiakët e tij, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu, të cilët iu afruan ulëses së Osmanit për t’ia zgjatur dorën. Ky moment ndodh pas tensioneve të fundit mes Osmanit dhe Kurtit për çështjen e presidentit. Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar kandidaturën e Glauk Konjufcës për president, duke lënë Osmanin jashtë procesit, pavarësisht ambicieve të saj për të marrë një mandat të dytë në krye të shtetit. Mbrëmë gjithashtu pati replika mes anëtarëve të kabinetit të Osmanit dhe përfaqësuesve të LVV-së, duke theksuar tensionet në marrëdhëniet mes dy institucioneve më të larta të vendit. Ky zhvillim thekson përplasjet brenda skenës politike të Kosovës, ndërsa vendi përgatitet për procesin e zgjedhjes së presidentit. /Telegrafi/