​Gruda: Nuk e mbështesim kandidaturën e Glauk Konjufcës, nuk do të marrim pjesë në seancë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se kjo parti nuk do ta mbështesë kandidaturën e Glauk Konjufca për president të Kosovës. Ai ka thënë se qëndrimi i PDK-së është i qartë dhe se nuk do të marrin pjesë në seanca lidhur me këtë çështje. “Ne e kemi vendosur që ne nuk e mbështesim kandidaturën e Glauk Konjufcës, asnjë kandidaturë tjetër partiake. Është qëndrim i qartë dhe nuk do të marrim pjesë në seanca. Por, ajo që po përgaditet është mos të mbahen seancat fare sa e kuptova UNË. Është përmbysje e rendit kushtetues, sepse, sot kuvendi është dashur të mblidhet me zgjedh ose mos me zgjedh një president. Kjo që as mos me zgjedh, as mos me konsomu procedurën është shkelje e Kushtetutës dhe po bëhet me qëllim me përmbys rendin kushtetues”, ka thënë Gruda. I pyetur nëse kanë kandidat për president, ai tha se aktualisht nuk kanë një emër të propozuar, duke theksuar se nuk i kanë votat për ta zgjedhur një të tillë. Ai ka thënë se veprimet e qeverisë aktuale janë tallje me Kosovën. “Jo, sepse e vërteta është që nuk i kemi votat. Është tallje me gjithë Kosovën, sepse rezultati dihet, e vërteta është se ne kemi 22 deputetë, por është dhe një e vërtetë e madhe, populli i Kosovës e ka votuar 51 për qind VV-në, jo 100 për qind. Me 51 për qind ata kanë mundur të formojnë qeverinë, me formu kuvendin, me miratu ligjin për buxhetin e gjëra tjera, por jo edhe me bë presidentin. Prandaj, duhet sjellë në përputhje me rezultatin zgjedhor. Ky rezultat zgjedhor na ka imponuar që të gjithë ne të ulemi dhe të gjejmë një emër për president. Krejt partitë popullsitë në botë kur fitojnë 51 për qind e llogarisin sikur kanë fituar 100 për qind. Kjo është komplet tallje me Kosovën, Kushtetutën, interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Gruda. /Kp/Telegrafi/