Arti i humbur i leximit të një libri të vërtetë

Çfarë ndodh kur njerëzit ndalojnë së lexuari libra? Po fillojmë të shohim se si duket një shoqëri post-shkrim-lexim - dhe ajo është shumë e gjymtuar. Nga: Michael Sebastian / Esquire Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com Ndodhi pak pas orës pesë të mëngjesit dhe unë isha plotësisht i zgjuar në një hotel në Romë. Me siguri për shkak të fluturimit të gjatë. Mora telefonin, iu përgjigja disa mesazheve dhe pastaj hapa Instagram -in - dhe vazhdova të rrëshqas nëpër ekran për një orë të tërë. Ai llum më kishte hipnotizuar. Pasi pashë një video të një tipi që po hante për mëngjes pica të mbetura të Domino’s dhe lëng freskues portokalli, dhe i cili për drekë po bënte një sandviç me djathë me patatina brenda, u shtanga. Çfarë po bëja?! Mund të përpiqesha të flija ose duke u stërvitur në palestrën e hotelit. Laptopi im me listën e detyrave të punës ishte aty pranë. Dreqi e marrtë, pikërisht jashtë dritares sime ishte Qyteti i Përjetshëm! Edhe më keq, libri që po lexoja ishte mu pranë meje. Në çdo moment mund ta kisha lënë telefonin, të merrja librin dhe të merresha me material që më përmbush më shumë sesa videot e dietës së keqe të një tipi. Në vend të kësaj, rrëshqisja gishtin në ekran. Lexo po ashtu: - Libra dhe ekrane - Vdekja e kulturës: Orwell, Huxley dhe shqiptarët që fluturojnë në qiell! - Babai i fshatit global Të gjithë kemi lënë një libër duke humbur veten në telefon. Është si të ngopesh fshehurazi me karamelet e fëmijëve të tu nga Nata e Shtrigave. Ka momente të shkurtra kënaqësie dhe pastaj ndihesh pak i sëmurë në mendje dhe në trup. Gjithashtu, ndihesh më budalla. Mirë se vini në jetën në një Epokë Post-Shkrim-Lexim. A e keni vënë re këtë term që po fiton terren, Epoka Post-Shkrim-Lexim? Ai në përgjithësi i referohet rënies së fjalës së shkruar dhe kthimit, në disa kuptime, në një kulturë gojore në të cilën njohuria përhapet përmes të folurit. Këto ditë ndoshta dëgjoni më shumë njerëz që rekomandojnë podkaste sesa që rekomandojnë libra. Ekspertët më të njohur politikë nuk janë shkrimtarë apo yje televizive - ata drejtojnë video-podkaste dhe emisione transmetimi të drejtpërdrejtë në Twitch . [Një nga etërit themeltar të ShBA-së] Thomas Paine i ditëve të sotme nuk është shkrimtar; ai është influencues. Shumë kohë përpara ardhjes së Facebook -ut ose Instagram -it, Marshall McLuhan - një lloj filozofi i mediave që shfaqet në [filmin] Eni Holl [Annie Hall] - ishte pionier i idesë post-shkrim-lexim në fillim të viteve ’60 të shekullit XX. Neil Postman, një dishepull i McLuhanit, e shtyu më tej idenë në librin e tij të vitit 1985, Duke e zbavitur veten deri në vdekje [ Amusing Ourselves to Death ]. “Amerikanët nuk flasin më me njëri-tjetrin, ata argëtojnë njëri-tjetrin”, shkroi ai. “Ata nuk shkëmbejnë ide, ata shkëmbejnë imazhe. Ata nuk debatojnë me propozime; ata debatojnë me pamje të bukura, me të famshëm dhe reklama”. Dyzet vjet më vonë, ky vëzhgim është çuditërisht i saktë. Megjithatë, argumenti më parashikues i Postmanit është mënyra se si do të kalojmë në post-shkrim-lexim. Ai krahason vizionin e së ardhmes të George Orwellit në 1984 [ Nineteen Eighty-Four ] me atë të Aldous Huxley në Më e mira e botëve [ Brave New World ]. Sipas Postmanit, Orwelli kishte frikë se librat do të ndaloheshin. Huxley shqetësohej se ndalimi i librave do të ishte i panevojshëm - sepse askush nuk do të donte t’i lexonte. “Siç vuri në dukje Huxley në Më e mira e botëve , mbrojtësit e lirive civile dhe racionalistët që janë gjithmonë vigjilentë për t’iu kundërvënë tiranisë, ‘nuk arritën të merrnin parasysh oreksin pothuajse të pafund të njeriut për shpërqendrime’”, shkroi Postman. Sot kemi makina shpërqendrimi në xhepin tonë ose në komodinën pranë shtratit, gjithmonë në gatishmëri. Ja gjëja e çuditshme: Normat e shkrim-leximit janë më të lartat në historinë e botës. Megjithatë, bota që imagjinoi Huxley dhe që profetizoi Postmani është me ne. Kjo ndodh sepse njerëzit konsumojnë përditësimet në Facebook , përshkrime në Instagram dhe postime në X gjatë gjithë ditës. Rrallëherë marrin në dorë ndonjë libër. Një artikull i fundit në The Atlantic , duke cituar Anketën mbi Pjesëmarrjen Publike në Arte, tha se vetëm 48 për qind e amerikanëve kishin lexuar qoftë një libër të vetëm në vitin 2022, një rënie prej gjashtë për qind krahasuar me një dekadë më parë. Sipas një studimi të publikuar në gusht, gjatë dy dekadave të fundit numri i amerikanëve që çdo ditë lexojnë, për kënaqësi, ka rënë nga 28 për qind në 16 për qind. Rënia mes të rinjve është edhe më e theksuar. Rezulton se leximi i librit është art i humbur - dhe vdekja e leximit të librave mund të ketë pasoja të rënda. “Ndoshta kjo murtajë e analfabetizmit ka luajtur një rol në zhdukjen e së vërtetës dhe, bashkë me të, të demokracisë liberale”, shkroi George Packer në The Atlantic këtë vjeshtë. Sipas këtij vlerësimi, mendoj se nuk duhet të ndihem shumë keq për mëngjesin tim të hershëm në Romë. Shfaqja më pak e rrezikshme e një epoke post-shkrim-lexim është humbja e kohës duke rrëshqitur në Instagram ; më e keqja është që vendi më i fuqishëm në botë të drejtohet nga një grup moronësh egomanë dhe antidemokratikë. Nëse ka ndonjë lajm të mirë, është se disa figura mediatike dhe botime po e vërejnë këtë. Kjo temë është shfaqur në biseda me komedianë të ndryshëm - për ironi, mendoj, sepse ata kryesisht punojnë në një medium të fjalës së folur - përfshirë Marc Maronin, Bowen Yangun dhe Hasan Minhajn. Packeri ka shkruar për këtë në The Atlantic ; gazetari i biznesit, Joe Weisenthal, bashkëprezantues i podkastit Odd Lots të Bloomberg -ut, ka folur për këtë ide prej vitesh. Në buletinin e tij Cultural Capital , kolumnisti i Times of London , James Marriott, shkroi vitin e kaluar një manifest për agimin e shoqërisë post-shkrim-lexim dhe fundin e qytetërimit. “Nëse revolucioni i leximit përfaqësonte transferimin më të madh të njohurisë te njerëzit e zakonshëm në histori”, tha ai, “revolucioni i ekranit përfaqëson vjedhjen më të madhe të njohurisë nga njerëzit e zakonshëm në histori”. Disa artikuj dhe libra të fundit i janë afruar pas-shkrim-leximit duke eksploruar marrëzinë në rritje dhe mungesën e krijimtarisë në kulturën perëndimore. Dave Holmes i Esquire -it shkroi këtë vit një artikull mbi ngritjen e Budallallëkut të Madh në Amerikë. Një artikull në ballinë në New York Magazine eksploroi marrëzinë e thellë të vendit tonë, dhe libri i ri i W. David Marxit, Hapësira e zezë [ Blank Space ], argumenton se shekulli XXI ka mungesë të ideve të reja. Muajin e kaluar, periodiku i pavarur The Baffler i kushtoi një numër të tërë temës së epokës post-shkrim-lexim. “Do të ishte naive të pretendonim se leximi i një romani ose përkthimi i një poezie mund të jetë një formë rezistence”, shkruan Nicolás Medina Mora në The Baffler . “Por, kush e di? Ndoshta rishpikja e formave të vjetra letrare mund të na ndihmojë të përmbysim shtytjen e momentit aktual drejt marrëzisë”. Unë nuk rekomandoj të heqim dorë nga podkastet, të injorojmë videot në telefonin tuaj ose të fshijmë të gjitha aplikacionet e mediave sociale (edhe pse pak vetëpërmbajtje do të më ndihmonte). Por, rënia e shkrim-leximit dhe simptomat e saj të shumta duhet të na shqetësojnë të gjithëve. “Siç ndoshta e keni vënë re”, shkroi James Marriott në esenë e tij të vitit 2024, “bota e ekranit do të jetë një vend shumë më i trazuar se bota e shtypit: më emocionale, më e zemëruar, më kaotike”. Një botë e tillë sigurisht inkurajon ngritjen e autoritarizmit dhe të një shoqërie joliberale. Por, argumenti më bindës për rënien e leximit nuk është lidhja e tij me rënien e demokracisë ose me budallallëkun në rritje të jetës amerikane. Është se të gjithë ne e kemi gabim përse njerëzit duhet të lexojnë. “T’i thuash dikujt të dojë letërsinë sepse leximi është i mirë për shoqërinë, është si t’i thuash dikujt të besojë në Zot sepse feja është e mirë për shoqërinë”, shkroi Adam Kirsch në The Atlantic javën e kaluar. “Është një argument utilitar për diçka që duhet të jetë një pasion personal”. Dhe, nuk është vetëm një pasion, vazhdoi ai. Librat duhet të ngjallin të njëjtën ndjenjë si një pije pas pune ose një cigare kur je duke pirë. “Do të ishte më mirë ta përshkruanim leximin jo si një detyrë publike, por si një kënaqësi private, ndonjëherë madje edhe si një ves”, argumentoi Kirsch. “Kjo do të ishte një mënyrë më efektive për të tërhequr të rinjtë, dhe gjithashtu ndodh të jetë e vërtetë. Kur letërsia konsiderohej transgresive, moralistët nuk mund t’i ndalonin njerëzit të blinin dhe të lexonin libra të rrezikshëm. Tani që librat konsiderohen të virtytshëm dhe edukues, moralistët nuk mund të bindin askënd të marrë një të tillë në dorë”. Si nxënës i shkollës së mesme në vitet ’90 të shekullit XX, mora hua Në rrugë [ On the Road ] nga biblioteka e shkollës. Një bibliotekare më dha këtë paralajmërim: “Ki kujdes me këtë libër -fëmija i fundit që e lexoi e la shkollën”. Librat mund të jenë informues dhe argëtues; si cigaret dhe alkooli, ata mund të jenë edhe të rrezikshëm dhe të dëmshëm për shëndetin. Disa javë pasi u ktheva nga Roma, mora një libër të ri, Spiuni i përsosur [ A Perfect Spy ] nga John le Carré. iPhone -i im nuk ishte i përshtatshëm për këtë. Humba gjumin duke e lexuar thellë në natë dhe mëngjesin tjetër ndjeva lodhjen e dehjes. Si shumica e netëve të dehura jashtë, libri ia vlejti. Pra, çfarë ndodh kur ndalojmë së lexuari libra? Demokracia dobësohet, liberalizmi tërhiqet, marrëzia përhapet dhe - ndoshta po aq keq - ne bëhemi më pak ... interesant. Epoka post-shkrim-lexim do të jetë shumë e mërzitshme. /Telegrafi/