Gjykata refuzon bashkimin e procedurave për zjarrin në diskotekën “Pulse”

Mbrojtja e të akuzuarve për zjarrin në diskotekën “Puls” kërkoi që gjykimi të bashkohej me lëndën ndaj 13 policëve të akuzuar për veprën e njëjtë, për të cilën gjykimi pritet të nisë në fillim të prillit. Gjykata e refuzoi propozimin. “Në rast të tillë, bashkimi eventual do të çonte në zvarritje të kësaj procedure dhe të tjetrës, në kundërshtim me parimin e efikasitetit, duke shkaktuar vonesa pa arsye”, thonë nga Gjykata Penale. Dëshmitarët përshkruan se kur shpërtheu zjarri, ata u bllokuan në turmë të madhe, por arritën të shpëtojnë falë sigurimit. Kristijan Kitanov dëshmoi se kishte tym të madh. “Nën mua kishte një person, kishte shumë tym dhe ndjehej një nxehtësi e padurueshme. Në dorën e djathtë lëkura filloi të më bjerë, me dorë përpiqesha ta shpëtoja atë person. Dora dhe ana e djathtë e fytyrës më ishin djegur”, u shpreh Kristijan Kitanov, dëshmitar. Në gjykatë u lexua edhe një njoftim nga burgu i Kumanovës, se i akuzuari i parë, Dejan Jovanov, për të cilin mbrojtja në seancën e kaluar ishte ankuar për trajtim johuman, ishte ankuar vetëm për dyshekun e shtratit dhe për kontrollet e shpeshta në qeli. Seanca e radhës për zjarrin në diskotekën “Puls”, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan, do të vazhdojë më 9 mars./Alsat/