KFOR: Pretendimi se NATO ka lëshuar raketa nga Kosova është i rremë

KFOR ka reaguar ndaj pretendimeve që, sipas këtij misioni, po qarkullojnë në rrjetet sociale se “NATO ka lëshuar raketa nga Camp Bondsteel apo objekte të tjera të NATO-s në Kosovë drejt Iranit”, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Në një njoftim për media, KFOR thekson se ky pretendim është “i rremë” dhe se NATO e hedh poshtë plotësisht një gjë të tillë. Sipas njoftimit të KFOR-it, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka bërë të qartë se NATO si organizatë nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian. Në njoftim thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë rol kyç në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal në kuadër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. "Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, përfshirë edhe në kuadër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të dislokuara në KFOR. Ato udhëheqin Komandën Rajonale Lindje (RC-East) të misionit. RC-East kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në shumë mënyra, përfshirë patrullimet, ushtrimet, angazhimet me përfaqësues të të gjitha komuniteteve lokale, si dhe mbështetjen për projekte të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik", thuhet në njoftim. KFOR rithekson se misioni i saj vazhdon të përmbushë mandatin për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.