Ish-mbrojtësi i Interit dhe Italisë, Marco Materazzi, ka rikujtuar një nga momentet më të famshme në historinë e futbollit,incidentin me Zinedine Zidane në finalen e vitit 2006 në Kupën e Botës. Në një intervistë për platformën Vivo Azzurro, Materazzi tregoi çfarë ndodhi pak sekonda para goditjes me kokë që çoi në përjashtimin e Zidanes në ndeshjen e fundit të karrierës së tij. “Kur Gianluigi Buffon bëri atë pritje ndaj goditjes me kokë të Zidanes, Gennaro Gattuso donte të më vriste sepse mendonte se nuk e kisha markuar mirë. Në fakt unë po markoja David Trezeguet, por në ato situata ishte më mirë të mos debatoja me Rinon”, kujtoi Materazzi. Ai shpjegoi se pak minuta më vonë ndodhi episodi i famshëm me Zidanen. “Në një situatë të ngjashme e mbajta për pak nga fanella. Doja të sigurohesha që të mos hidhej për topin. I kërkova falje dy herë, por herën e tretë ai më tha: ‘Nëse do fanellën time, do ta jap më vonë’. Atëherë unë i thashë diçka, por asgjë më shumë sesa ato gjëra që thonim si fëmijë kur luaja futboll në plazhet e Barit”, deklaroi Materazzi. Pak sekonda më vonë, Zidane reagoi duke e goditur me kokë në gjoks mbrojtësin italian, një incident që gjyqtari Horacio Elizondo e ndëshkoi me karton të kuq për legjendën franceze. Italia më pas fitoi finalen pas gjuajtjeve të penalltive, duke triumfuar 5-3 dhe duke siguruar titullin e katërt të botës. Të gjithë lojtarët italianë realizuan nga pika e bardhë, ndërsa David Trezeguet ishte i vetmi që gaboi për Francën. Materazzi luajti 41 ndeshje me Italinë dhe shënoi dy gola me fanellën e Azzurrëve – të dy pikërisht gjatë Kupës së Botës 2006, përfshirë edhe golin në finalen historike ndaj Francës. /Telegrafi/