Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar propozimin e presidentes Vjosa Osmani për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët. Duke folur në FIVE në TV Dukagjini, Haliti tha se kjo është një çështje që, sipas tij, duhet të trajtohet nga ekspertët e së drejtës kushtetuese. Ai theksoi se sipas Kushtetutës aktuale, Kosova është republikë parlamentare, ku rolin kryesor në vendimmarrje e ka Kuvendi dhe jo presidenti. Osmani procedon amendamentet për zgjedhjen e presidentit direkt nga populli “Nuk e di si ta komentoj këtë. Këto janë çështje më shumë të konstitucionalistëve që janë specialistë. Dhe fatkeqësisht në Kosovë kemi pas ose s’di a kemi. Sidoqoftë është një përpjekje sa për të thënë që po bëjë diçka. Sepse me Kushtetutë Kosova është republikë parlamentare dhe organi më i lartë, ose organi vendimmarrës më i lartë është Parlamenti s’është presidenti”, ka thënë Haliti në FIVE. Komentet e tij vijnë pasi presidentja Osmani njoftoi se ka proceduar në Kuvend amendamente kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga populli. Sipas saj, iniciativa është ndërmarrë pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e presidentit në Kuvend. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat e deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.