Gruda: Jemi 14 vjet pas vendimit të Kushtetueses, s’mund t’i shqyrtojmë amendamentet e Osmanit

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete në Kuvendi i Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se amendamentet kushtetuese të propozuara nga Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit/es drejtpërdrejt nga populli nuk mund të shqyrtohen në këtë fazë. Sipas Grudës, arsyeja lidhet me tejkalimin e afateve, pasi këto amendamente janë dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese që në vitin 2011. “Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja është dërguar në gjykatë në vitin 2011. Pra, kemi kaluar çdo afat. Unë sot mendoj se komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, ka thënë Gruda. Megjithatë, ai ka ftuar anëtarët e Komisionit që të diskutojnë lidhur me këtë çështje, duke lënë të hapur mundësinë e debatit parlamentar për nismën e Presidentes. Nisma e Osmanit për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit vjen në një moment të ndjeshëm politik, në prag të skadimit të afatit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit në Kuvend./Telegrafi.