Cakolli: Reforma kushtetuese për presidentin direkt kërkon konsensus dhe kohë

Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka vlerësuar se nisma e Vjosa Osmani për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit mund të jetë pjesë e një debati serioz për reformën kushtetuese, por nuk adreson krizën aktuale institucionale që mund të lindë nga moszgjedhja e presidentit nga Kuvendi. Sipas Cakollit, ndryshimi i Kushtetutës kërkon të paktën 80 vota në Kuvend, përfshirë 14 vota të deputetëve të komuniteteve jo-shumicë, një prag i vështirë për t’u arritur në rrethanat aktuale parlamentare. “Edhe nëse amendamentet miratohen, teksti i tyre parasheh që zgjedhjet presidenciale shpallen gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të presidentit. Ky rregull është menduar për një situatë të zakonshme institucionale, dhe në rrethanat aktuale nuk mund të zbatohet. Praktikisht, nëse amendamenti do të hynte në fuqi tani, ai do të zbatohej vetëm nga viti 2031”, tha Cakolli. Ai shtoi se kalimi në një model të ri të zgjedhjes së presidentit kërkon miratimin e një kornize të tërë ligjore dhe nënligjore që rregullon procesin zgjedhor, administrimin e zgjedhjeve dhe kandidimin, një proces që është praktikisht i pamundur për t’u realizuar brenda një kohe të shkurtër. Gjithashtu, sipas tij procedurat e “super”-përshpejtuara që shmangin standardet e rregullta ligjvënëse cenojnë sigurinë juridike. Cakolli theksoi se në këto rrethana, propozimi për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit nuk ofron një zgjidhje të menjëhershme për situatën aktuale institucionale dhe se çdo ndryshim kushtetues kërkon kohë, konsensus të gjerë politik dhe një tranzicion të qartë juridik për të shmangur pasiguri dhe vakuum institucional./Telegrafi.