Pensionet në Gjermani do të rriten me 4.24 përqind në korrik. Lajm i mirë për miliona pensionistë: pensionet e tyre do të rriten më shumë se sa pritej këtë verë. Pagesat e pensioneve për afërsisht 21 milionë pensionistë në Gjermani do të rriten me 4.24 përqind më 1 korrik. Kjo u njoftua nga Ministria Federale e Punës në Berlin, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Telegrafi. Bazuar në të dhënat aktuale nga Zyra Federale e Statistikave dhe agjencia e sigurimeve pensionale, pensionet po rriten ndjeshëm më shumë se sa parashikohej në vjeshtë. “Është një lajm i mirë për pensionistët që pensionet do të rriten me 4.24 përqind në korrik”, ka thënë ministrja e Punës, Bärbel Bas. Sipas saj, “rritja pozitive e pagave po çon përsëri në një rregullim të dukshëm të pensioneve, gjë që nënvizon besueshmërinë e sistemit statutor të pensioneve”. Sektori i zejtarëve të kualifikuar në Gjermani ka mungesë prej 200,000 punëtorësh Meqenëse pensionet janë të lidhura me pagat, pensionistët mund të përfitojnë nga prosperiteti i popullsisë që punon, shkruajnë më tej mediat gjermane. "Pensionet e mira nuk janë luks, por çështje drejtësie për njerëzit që kanë punuar shumë gjithë jetën e tyre", citohet të ketë thënë bashkëkryetarja e SPD-së socialdemokrate. Sipas ministrisë, vlera aktuale e pensionit do të rritet nga 40.79 € në 42.52 € më 1 korrik 2026. Për një pension standard me të ardhura mesatare dhe 45 vjet kontribute, ky rregullim i pensionit do të thotë një rritje prej 77.85 € në muaj. Siç bëhet e ditur më tej, regullimi i pensioneve do të zbatohet me anë të një rregulloreje e cila - në varësi të vendimit të Kabinetit, miratimit të Bundesratit (Këshillit Federal) dhe botimit përfundimtar në Gazetën Federale të Ligjit - do të hyjë në fuqi më 1 korrik 2026. Presidentja e Fondit Federal Gjerman të Sigurimeve të Pensioneve, Gundula Roßbach, tha: "Me këtë, ne po përmbushim edhe një herë një premtim kyç të sigurimit ligjor të pensioneve: Pensionet vijnë pas pagave". / Telegrafi /