Kaos te Real Madridi: “Lojtarët janë të pakontrollueshëm”, kritikë të ashpra për dhomën e zhveshjes

Situata te Real Madrid po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, ndërsa sezoni i “Los Blancos” vazhdon të përballet me probleme të mëdha. Sipas gazetarit të Cadena SER, Manu Carreno, dhoma e zhveshjes së klubit madrilen është bërë “e pakontrollueshme”. Real Madridi tashmë ka bërë një ndryshim trajneri gjatë këtij sezoni. Xabi Alonso është larguar nga posti i trajnerit, ndërsa vendin e tij e ka marrë Alvaro Arbeloa. Megjithatë, skuadra vazhdon të ketë luhatje të mëdha dhe ka humbur dy ndeshjet e fundit, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar. Carreno theksoi se Arbeloa po përballet me një sfidë të madhe para ndeshjes së radhës në stadiumin Estadio de Balaídos. “Çfarë pune e pret Arbeloan para ndeshjes së së premtes në Balaídos – pezullime, lëndime… dhe mbi të gjitha një atmosferë toksike në dhomën e zhveshjes. U mendua se problemi ishte vetëm Xabi Alonso, por duket se kjo dhomë zhveshjeje është thjesht e pakontrollueshme. Nuk arriti ta menaxhojë as Carlo Ancelotti, as Alonso dhe tani duket se as Arbeloa. Madje do të thosha se as presidenti nuk po arrin ta kontrollojë situatën”, u shpreh ai. Gazetari spanjoll shtoi se lojtarët e Real Madridit nuk janë të kënaqur me asnjë trajner. “Sipas tyre, një trajner është shumë i ashpër, tjetri bën analiza video shumë të gjata, një tjetër është shumë i butë… ndërsa për Arbeloan mendojnë se nuk është mjaftueshëm i mirë. Por ndoshta nuk duhet të lihet një trajner vetëm përballë një dhome zhveshjeje të pakontrollueshme, që po kalon një periudhë të vështirë dhe nuk po u jep tifozëve të Real Madridit netët e mëdha që presin”, përfundoi Carreno. /Telegrafi/