A po përshkallëzohet lufta - Suedia u kërkon qytetarëve të mbajnë 'cash' para në shtëpi

Suedia i ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të jenë më të përgatitur financiarisht në rast të një lufte, krize të madhe ose emergjence kombëtare. Autoritetet suedeze kanë paralajmëruar se në situata të tilla mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, probleme me internetin ose bllokim të sistemeve digjitale të pagesave. Për këtë arsye, qytetarët këshillohen të mos mbështeten vetëm te pagesat elektronike, raporton bloomberg . Sipas rekomandimeve, çdo person duhet të mbajë një sasi të vogël parash në shtëpi - rreth 110 dollarë për person, që mjaftojnë për shpenzimet bazë për rreth një javë. Këto para mund të përdoren për të blerë ushqime, ujë, ilaçe ose produkte të tjera të nevojshme në rast se kartat bankare ose aplikacionet e pagesave nuk funksionojnë. Përveç parave fizike, banka qendrore e Suedisë këshillon gjithashtu që qytetarët të kenë karta bankare nga banka të ndryshme. Kjo bëhet për arsye sigurie, sepse nëse një sistem pagese ose një bankë përballet me probleme teknike apo sulme kibernetike, karta nga një bankë tjetër mund të vazhdojë të funksionojë. Autoritetet theksojnë se këto masa janë pjesë e përgatitjeve për situata të jashtëzakonshme dhe synojnë të rrisin sigurinë dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë. Qeveria suedeze vazhdimisht i inkurajon qytetarët që të jenë të përgatitur jo vetëm financiarisht, por edhe me rezerva ushqimore, ujë dhe mjete të tjera të domosdoshme për disa ditë në rast emergjence. /Telegrafi/