Abdixhiku: LDK, pas orës 12:00 pret dekretin për shpërbërjen e Kuvendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kjo parti pret që pas mesditës të vijë dekreti për shpërbërjen e Kuvendit, pasi të skadojë afati ligjor për zgjedhjen e presidentit. Para gazetarëve, pak para nisjes së seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, Abdixhiku tha se LDK-ja pret që pas orës 12:00 të ndërmerren hapat kushtetues për shpërbërjen e Kuvendit. Sipas tij, me kalimin e këtij afati përfundon edhe periudha ligjore e paraparë për zgjedhjen e kreut të shtetit. “LDK pret dekretin për shpërbërjen e Kuvendit pas orës 12:00, kur edhe zyrtarisht kalon afati ligjor”, u shpreh Abdixhiku. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca e ardhshme do të mbahet pas gjysmë ore, pra në orën 22:00. Pas kësaj, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka propozuar edhe kandidatin e dytë për president të Kosovës, duke plotësuar kushtet për një garë presidenciale. Ajo e propozoi deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.