Ambasadori i Kosovës në Bashkimin Evropian, Agron Bajrami, ka përshëndetur vendimin e Komitetit të Rajoneve të BE-së për të harmonizuar terminologjinë e përdorur për Kosovën me atë të Parlamentit Evropian, duke hequr asterisken dhe shënimin në fund të faqes. Në një postim në rrjetin social "X", Bajrami e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për përforcimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian. Ai gjithashtu ka shprehur falënderime të veçanta për raportuesen e Komitetit për Zgjerimin, këshilltaren Gillian Coughlan, dhe për të gjithë anëtarët e Komitetit për këtë vendim me rëndësi. “Ky vendim forcon perspektivën evropiane të Kosovës dhe tregon mbështetjen e BE-së për vendin tonë,” ka shkruar ambasadori Bajrami. Çka është fusnota? Më 24 shkurt të vitit 2012, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare. “Ky përcaktim është pa paragjykime ndaj statusit dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në marrëveshje. Për Barguesin nga CIBOD, marrëveshja për fusnotën ishte një mënyrë që të lihej anash diskutimi lidhur me statusin e Kosovës si shtet i pavarur apo jo, për të diskutuar çështje të tjera. “Meqenëse statusi i Kosovës është çështja më e ndjeshme në këtë konflikt ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës... nëse lihet anash me fusnotën, atëherë OKB-ja mund të punojë në gjërat e tjera, për shtetndërtimin e Kosovës apo procesin e ndërtimit të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai për REL-in. Kjo praktikë, sipas tij, u mor edhe nga institucionet e tjera, pasi që u mundësonte atyre që të punonin në fusha të ndryshme me Kosovën, pa marrë anë në mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë. Emini vë në dukje se arritja e marrëveshjes për fusnotën, përveçse i mundësoi Kosovës bashkëpunim me vendet që nuk ia njohin pavarësinë, i mundësoi edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) me Bashkimin Evropian. Kosova nënshkroi MSA-në me BE-në, që cilësohet si hapi i parë drejt anëtarësimit në BE, në vitin 2015./Telegrafi. Great step forward from the @EU_CoR : aligning with @Europarl_EN terminology by dropping the asterisk & footnote for #Kosova . Heartfelt thanks to CoR Rapporteur on Enlargement, Cllr Gillian Coughlan, and all CoR members for this meaningful decision that strengthens Kosova’s #EU … pic.twitter.com/XeYtNycFEF — Agron Bajrami (@AgronBajrami) March 5, 2026