Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje , Arbërie Nagavci, ka fajësuar deputetët e opozitës për dështimin e dy seancave të jashtëzakonshme që u mbajtën sot për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. “Sapo e pamë se përfunduan pa sukses dy seanca tejet të rëndësishme për vendin, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në seancën e ftuar për të votuar presidentin dhe as nuk dhanë asnjë nënshkrim apo propozim për një president konsensual”, ka thënë Nagavci. Ajo ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ishte e gatshme të mbështeste kandidatët që mund të vinin si propozime nga LDK ose PDK, duke ofruar nënshkrimet e saj dhe duke diskutuar për një kandidat konsensual jo partiak. S'ka kuorum, ndërpritet seanca për presidentin Nagavci gjithashtu ka kritikuar mungesën e mbështetjes në procedurat për ndryshimet kushtetuese që do të lejonin zgjedhjen e presidentit direkt nga qytetarët. Sipas saj, deputetët e PDK nuk dhanë votën, ndërsa disa deputetë të LDK-së nuk ishin të pranishëm. Ajo bëri të ditur se LVV do t’i drejtohet Gjykates Kushtetuese për të kërkuar masë të përkohshme, duke kërkuar shqyrtim me prioritet, pasi deputetët që nuk morën pjesë në votim, sipas LVV-së, kanë shkelur Kushtetutën. Nagavci ka shprehur besimin se përgjigjja e Gjykatës Kushtetuese do të jetë në favor të kërkesës së tyre./Telegrafi/