Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka kryer homazhe sot për nder të 28 vjetorit të shënimit të Epopesë së UÇK-së, në Prekaz. Hamza përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se "Sot, në Prekaz, në vendin e shenjtë të sakrificës, nderuam komandantin legjendar Adem Jashari, Hamzën, bacën Shaban dhe të gjithë të rënët e familjes heroike Jashari. Pas homazheve, vizitova edhe bacën Rifat, në shtëpinë që u bë kala e lirisë, ku çdo gur, çdo rrëfim dhe çdo kujtim dëshmon për sakrificën e jashtëzakonshme për atdheun. Në fjalët e tij të qeta dhe në qëndrimin burrëror ndjehet ende pesha e historisë dhe madhështia e një familjeje që e ktheu qëndresën në betim për liri", ka shkruar Hamza. Siç ka thënë Hamza" "Sakrifica e familjes Jashari mbetet një amanet i përhershëm, që na thërret ta ruajmë dhe forcojmë Kosovën për çdo brez. Lavdi e përjetshme komandantit Adem Jashari dhe gjithë të rënëve të familjes Jashari". /Telegrafi/