Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një video-konferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (International Stabilization Force – ISF) për Gazën, gjeneralmajorin Jasper Jeffers III nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është diskutuar për koordinimet e nevojshme lidhur me dislokimin e mundshëm të FSK-së në Rripin e Gazës. Sipas njoftimit, gjatë takimit gjeneral Jashari e falënderoi gjeneralin Jeffers dhe përmes tij ushtrinë amerikane për ftesën drejtuar FSK-së për pjesëmarrje në këtë operacion ndërkombëtar. Ai gjithashtu konfirmoi gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të marrë pjesë në këtë mision me një kontingjent të saj, duke theksuar se FSK është një forcë profesionale, e trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe e gatshme të kontribuojë në operacione ndërkombëtare të sigurisë kur një gjë e tillë kërkohet nga ushtritë e vendeve partnere, në këtë rast nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të takimit, gjeneralmajori Jeffers III falënderoi gjeneral Jasharin për gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në ofrimin e sigurisë në Lindjen e Mesme, duke e vlerësuar Kosovën si një partner serioz dhe promovues të paqes dhe stabilitetit në botë. / Telegrafi /