Kërcënohen punëtorët e ujësjellësit gjatë detyrës, reagon KRU Hidroregjioni Jugor

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka reaguar publikisht pasi punëtorët e inspektoratit të saj janë përballur me kërcënime dhe ofendime nga një konsumator gjatë kryerjes së detyrave në terren. Në reagimin e bërë publik, kompania bën të ditur se incidenti ka ndodhur gjatë kontrollit të zakonshëm në terren, derisa punëtorët po ushtronin detyrat e tyre në funksion të mbrojtjes së ujit të pijes dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Sipas njoftimit, raste të tilla nuk janë të izoluara dhe punëtorët e kompanisë janë përballur edhe më herët me sjellje të ngjashme të papranueshme nga konsumatorë të papërgjegjshëm. KRU “Hidroregjioni Jugor” thekson se në situata të tilla është e detyruar të kërkojë ndërhyrjen e Policisë, me qëllim garantimin e sigurisë së punëtorëve dhe mbarëvajtjen e kryerjes së detyrave në terren. Megjithatë, kompania ka bërë të ditur se do të vazhdojë përpjekjet për të luftuar keqpërdorimin dhe abuzimin me ujin e pijes. “Mbrojtja e këtij resursi jetik është përgjegjësi e përbashkët dhe do të vazhdojmë të veprojmë në përputhje me ligjin për të garantuar furnizim të drejtë dhe të sigurt për të gjithë konsumatorët”, thuhet në reagim. Në fund, kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të tregojnë respekt ndaj punëtorëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në terren. / Telegrafi /